Skip to content
5.05.2007 Rasti i “Groppera Radio AG” ... Printoni E-mail

Nga libri" Jurispudenca e Gjykatës së Strasburgut" përgatitur nga z.Ledi Bianku.

I. Faktet kryesore

1. Duke filluar që nga tetori 1983, "Groppera Radio AG", shoqëri aksionere zvicerane, përdori një transmetues të fuqishëm, të vendosur në Itali në Pizzo Groppera, për të transmetuar programe radioje drejtuar dëgjuesve në Zvicër. Programet ishin kapur nga ana e pronarëve të receptorëve individualë si dhe nga ana e shoqërive të përdorimit të rrjeteve kabllore, të cilat i ritransmetonin këto programe.

2. Ndërkohë, më 1 janar 1984, hyri në fuqi në Zvicër një urdhëresë, e miratuar nga ana e Këshillit Federal në gusht 1983, me anë të së cilës u ndalohej shoqërive zvicerane të shfrytëzimit të rrjetit kabllor dhe që përdornin antenë kolektive, që të ritransmetonin programet e ardhura nga emetues. që nuk iu përgjigjeshin kërkesave të marrëveshjeve ndërkombëtare në lidhje me radion dhe telekomunikacionin. Pjesa më e madhe e këtyre shoqërive e respektuan këtë akt. Megjithatë, njëra prej tyre, Shoqëria kooperative e antenës kolektive të Maurit dhe rrethinave, e vazhdoi këtë aktivitet dhe për këtë arsye asaj iu drejtua një urdhër nga ana e Drejtorisë së Telekomunikacioneve të rrethit të Zyrihut dhe më pas nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të PTT. Më pas, ajo paraqiti në Gjykatën federale një ankim administrativ me të cilën u bashkua edhe "Groppera Radio AG". Ky ankim nuk u pranua në qershor 1985 me arsyetimin kryesor se transmetuesi i vendosur në Itali kishte qenë shkatërruar nga rrufeja më 1984 dhe kështu që paditësit nuk kishin më interesin për të qenë palë paditëse.

3. "Groppera Radio AG" dhe tre qytetarë zviceranë, z. Jürg Marquard, aksioner i vetëm dhe përfaqësues ligjor i shoqërisë si dhe z. Hans-Elias Fröhlich dhe z. Marcel Caluzzi, dy gazetarë të punësuar nga kjo radio, pohonin që ndalimi për të ritransmetuar në rrugë kabllore në Zvicër, emisionet e tyre të transmetuara nga Italia, cenonte të drejtën e tyre, të garantuar nga ana e nenit 10 të Konventës - për të komunikuar informacione dhe ide pa konsideruar kufijtë. Ata pretendonin gjithashtu se ishin viktima të një shkeljeje të nenit 13, për shkak të pamundësisë të një mjeti ankimi efektiv kundër një urdhërese të Këshillit Federal.

4. Në raportin e tij të 13 tetorit 1988, Komisioni arriti në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 10, por se nuk ka pasur shkelje të nenit 13.

II. Vendimi i Gjykatës

A. Në lidhje me pretendimet paraprake

5. Sipas opinionit të qeverisë zvicerane, kërkuesit nuk kishin cilësinë e të dëmtuarit të kërkuar nga neni 25 § 1 i Konventës. Gjykata vuri në dukje para së gjithash se me të dëmtuar kjo dispozitë kuptonte personin e prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e veprimit ose mosveprimit ndaj të cilit ishte bërë ankimi, duke pasur parasysh në këtë rast edhe faktin që me shkelje kemi të bëjmë edhe atëherë kur nuk ka dëmtim. Ajo konstatoi se kërkuesit kishin qenë prekur plotësisht nga urdhëresa e vitit 1983 dhe nga vendimet e PTT, edhe pse këto akte nuk u drejtoheshin edhe atyre si subjekte dhe këta të fundit kishin vazhduar pa probleme aktivitetin e tyre të transmetimit me radio me valë herc. Ajo çmoi gjithashtu që nuk kishte vend për të bërë dallime ndërmjet kërkuesve, sepse të gjithë ata kishin një interes të drejtpërdrejtë në vazhdimin e mundësisë së shpërndarjes me rrugë kabllore të programeve. Së fundi, ajo nuk i dha rëndësi aspak faktit që të interesuarit nuk figuronin fare ndërmjet të abonuarve në rrjetin kabllor. Pra, ajo e hodhi poshtë pretendimin paraprak.

B. Në lidhje me nenin 10 të Konventës

a. A kishte ndërhyrje?

6. Përsa i përket nenit 10 të Konventës, bëhej fjalë së pari për t'u siguruar për ekzistencën e një ndërhyrje. Gjykata nuk e gjykoi të nevojshme të përcaktonte me saktësi se çfarë duhej kuptuar në këtë rast me "informacione" ose "ide". Ajo konsideroi se shpërndarja e programeve në rrugë valësh herc ashtu si edhe ritransmetimi i tyre në rrugë kabllore, ishin një e drejtë e sanksionuar nga dy fjalitë e para të nenit 10 § 1, pa qenë nevoja që me anë të tij të bëhej edhe një dallim në lidhje me përmbajtjen e programeve. Nga kjo doli qartë në pah se vendimet e PTT i kishin penguar të abonuarit e rajonit të Maurit që të merrnin në këtë mënyrë programet e transmetuara nga ana e "Groppera Radio AG"; ato konceptoheshin pra si një "ndërhyrje e autoriteteve publike" në ushtrimin e lirisë së shprehjes.

b. A ishte ndërhyrja e justifikueshme në bazë të paragrafit 1 të nenit 10?

7. Gjykata e mori këtë çështje në konsideratë së pari mbi bazën e fjalisë së tretë të paragrafit 1. Duke supozuar se pranojmë, ashtu si edhe qeveria, faktin që fjalia e lartpërmendur gjen zbatim në rastin në fjalë, duhet thënë gjithashtu se ajo përcakton rregullimin e kësaj çështjeje. Qysh prej adoptimit të Konventës, zhvillimi i koncepteve të tilla si dhe progresi teknik e në veçanti dalja në dritë e transmetimeve në rrugë kabllore, kanë angazhuar në një numër vendesh të Evropës heqjen e monopoleve shtetërore. Për pasojë, u parashikuan regjime kombëtare të autorizimit jo vetëm në lidhje me rregullimin me akte normative të ndërmarrjeve të radiodifuzionit në nivel kombëtar, por gjithashtu në një masë të madhe për t'u dhënë efekt normave ndërkombëtare.

8. Objekti, qëllimi si dhe fusha e veprimit të fjalisë së tretë të paragrafit 1 duhej gjithsesi të merreshin në konsideratë në kontekstin e nenit 10 të konsideruar në tërësinë e tij dhe duke pasur parasysh sidomos kërkesat e paragrafit 2. Fjalia e tretë ka një fushë të reduktuar veprimi, për shkak të faktit se ajo analizohet si një përjashtim i parimit të shpallur nga ana e dy fjalive të para. Ajo vetëm synon të saktësojë që shtetet mund të rregullojnë, me anë të një sistemi licencash, organizimin e radiodifuzionit mbi territorin e tyre, dhe këtë në veçanti mund ta bëjnë në lidhje me aspektet teknike.

9. Gjykata konstatoi se, në qoftë se stacioni i Pizzo Groppera do të gjendej në vetvete në juridiksionin italian, ritransmetimi i programeve të tij nga ana e shoqërive kooperative ishte nën juridiksionin zviceran. Ndalimi ishte bërë plotësisht sipas sistemit të rregullimit zviceran të radiove lokale.

c. A ishte ndërhyrja e ligjshme sipas paragrafit 2 të nenit 10?

10. Duke shqyrtuar në vazhdim ndërhyrjen nën këndvështrimin e paragrafit 2 të nenit 10, Gjykata kërkoi të shohë nëse kjo ndërhyrje kishte qenë parashikuar me ligj. Kërkuesit nuk kundërshtonin referencën e urdhëresës së vitit 1983 ndaj rregullave të së drejtës ndërkombëtare, por faktin që ato nuk u dukeshin mjaftueshmërisht të kuptueshme dhe të sakta sa subjektet e së drejtës të përshtatnin me to sjelljen e tyre. Në sytë e Gjykatës, vlera e nocioneve të parashikueshmërisë dhe kuptueshmërisë varet në një masë të madhe nga përmbajtja e normës në fjalë, nga fusha të cilën ajo rregullon si dhe nga numri dhe cilësia e subjekteve të cilëve ajo u drejtohet. Dispozitat e së drejtës ndërkombëtare të telekomunikacioneve, të cilat ishin edhe objekt i ankimit, paraqisnin një aspekt tepër teknik dhe të ndërlikuar dhe ato u drejtoheshin në radhë të parë specialistëve të cilët, në sajë të të dhënave të ofruara nga ana e përmbledhjes zyrtare të ligjeve federale, dinin se si t'i gjenin ato. Nga ana tjetër, nuk mund të thuhet se rregullat e së drejtës së brendshme apo ndërkombëtare për të cilat bëhej fjalë kishin mangësitë e nevojshme përsa i përket qartësisë dhe saktësisë.

d. A ishte ndërhyrja legjitime?

11. Përsa i përket qëllimit legjitim, Gjykata konstatoi se ndërhyrja ndiqte qëllime plotësisht të pajtueshme me Konventën: mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të telekomunikacioneve si dhe mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.

e. A kishte qenë ndërhyrja e nevojshme?

12. Gjykata mori në konsideratë një numër elementesh. Së pari, duhet përmendur fakti se pas hyrjes në fuqi të urdhëresës së vitit 1983, pjesa më e madhe e shoqërive zvicerane të shfrytëzimit të rrjetit kabllor pushuan ritransmetimin e programeve të "Groppera Radio AG". Për më tepër, administrimi zviceran nuk i prishi asnjëherë valët e ardhura nga Pizzo Groppera. Në vazhdim, shihet se ndalimi i drejtohej vetëm një shoqërie të krijuar dhe të rregulluar sipas së drejtës zvicerane, abonentët e së cilës banonin që të gjithë në territorin e Konfederatës dhe vazhdonin të kapnin programe të shumë transmetuesve të tjerë. Së fundi, dhe mbi të gjitha duhet vlerësuar se procedura e zgjedhur nuk përbënte aspak një formë censure të drejtuar kundër përmbajtjes ose orientimit të programeve, por një masë të marrë kundër një stacioni të cilin autoritetet e shtetit palë e paditur mund ta konsideronin krejt logjikisht si një stacion të vërtetë zviceran por që vepronte nga ana tjetër e kufirit me qëllim që t'i shpëtonte sistemit ligjor të telekomunikacioneve që ishte në fuqi në territorin e Konfederatës. Si përfundim, autoritetet shtetërore nuk e kishin kapërcyer hapësirën e vlerësimit që vetë Konventa u linte atyre.

13. Në këtë kushte Gjykata nuk konstatoi shkelje të nenit 10, sepse masa ndaj të cilës ishte bërë ankimi përputhej me qëllimin e paragrafit 1 dhe u përgjigjej kërkesave të paragrafit 2 të këtij neni.

C. Në lidhje me nenin 13

14. Të interesuarit kishin paraqitur në aplikimin e tyre fillestar një pretendim në lidhje me nenin 13, por nuk i qëndruan këtij pretendimi as në procedurën pasuese para Komisionit dhe as në atë para Gjykatës. Kjo e fundit njëzëri gjykoi si të panevojshme që ta shqyrtonte këtë çështje ex ufficio.

III. Koment

15. Në këtë vendim Gjykata e Strasburgut, e mbledhur në seancë plenare me 19 gjyqtarë, mbrojti mendimin se ndalimi për të ritransmetuar në rrugë kabllore emisione të transmetuara me radio nga një vend fqinjë nuk përbënte shkelje të nenit 10 të Konventës përderisa përputhej me qëllimet e paragrafit 1 dhe plotësonte kushtet e parashikuara nga paragrafi 2 i këtij neni në lidhje me qëllimin e ndjekur, ligjshmërinë e tij, nevojën për të mbrojtur interesa të ligjshme të të tretëve si dhe proporcionalitetin. Duhet vënë në dukje natyra e veçantë e këtij vendimi i cili iu kujton shteteve që e drejta që ata kanë për vendosjen e një sistemi autorizimesh dhe licencash duhet vënë në jetë në zbatim të kërkesave dhe kritereve të parashikuara nga paragrafi 2 i këtij neni. Pra sistemi i autorizimeve dhe licencimeve nuk mund të ushtrohet mbi baza diskrecionariteti por vetëm duke respektuar këto kritere të paragrafit 2.

16. Çështja përbën një referencë të rëndësishme për operatorët e transmetimit zanor ose pamor, dhe është tepër interesante për t'u vlerësuar në kuadrin e debateve që vazhdojnë ende në Shqipëri në lidhje me licencimin e transmetimeve analoge, dixhitale apo edhe satelitore[1]. Në mënyrë të qartë Gjykata shprehet se ritransmetimi i programeve zanore ose pamore përfshihet në konceptin e së drejtës për të bërë të njohura informacione dhe ide. Këtë pohim Gjykata e bën pa na ofruar ndonjë dallim mes termave ‘informacion' ose ‘të dhëna' nga njëra anë dhe ‘ide' nga ana tjetër. Vlen të theksohet ky fakt për arsye se përmbajtja e programeve të ndryshme mund të përbëjë një element të rëndësishëm në justifikimin e ndërhyrjes shtetërore ndaj transmetimeve zanore ose pamore.

17. Një element tjetër i rëndësishëm i kësaj çështje është elementi ndërkufitar i transmetimit. Në përpjekjen e tyre për të konstatuar shkelje të nenit 10 të Konventës, 3 gjyqtarët e pakicës, Pettiti, Bernhardt dhe De Mayer ofruan një obiter tepër interesant dhe të vërtetë edhe për situatën shqiptare - që transmetimet ndërkufitare kanë shtruar rrugën e vendeve të lindjes drejt demokracisë dhe se transmetimet ndërkufitare përbëjnë sot një element thelbësor të demokracisë dhe se këto karakteristika duhen mbajtur parasysh kur interpretohet neni 10 i Konventës.
 
 
sugjeroni-1.jpg

Pyetësori

Cfare mediash preferoni
 

Guida e Shqipërisë

alabanian-hotel-guide.png

Vizitorë në Faqe