| 10.05.2007 KKRT do të përbushë Planin e Kontrollit të Spektrit |
|
|
|
Edhe njëherë tjetër, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit garanton se do të përmbushë hap pas hapi, Planin e Kontrollit të Spektrit në të gjithë Shqipërinë, nga Shkodra deri në Sarandë... KKRT siguron se do të respektojë në maksimum kushtet e tyre të liçensës, duke mos cenuar askënd, por duke zbatuar vetëm ligjin e miratuar nga Kuvendi ndaj çdo operatori kombëtar apo lokal. KKRT do të bëjë përpjekjet maksimale për lirimin e spektrit, në mënyrë që të rritet numri i operatorëve që transmetojnë për publikun si dhe zgjedhja programore nga shikuesit, konform edhe Raportit të Komisionit Europian të vitit 2006 mbi Progresin e Marrëdhënieve Shqipëri - BE , në të cilin kërkohet "parandalimi i zënies së frekuencave në mënyrë pirate". Dje, për herë të parë, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizioneve ka konstatuar se, pas vetëmbylljes, nuk ka ndodhur fenomeni i rivënies në punë të stacioneve transmetuese! Për herë të parë, operatorët radio-televizivë në Shqipëri, me sa duket, e kanë kuptuar seriozitetin e zbatimit të ligjit nga KKRT-ja dhe domosdoshmërinë e respektimit të tij edhe prej vetë atyre, në dobi të lirisë së shprehjes dhe të informimit. E vëmë në dukje këtë fakt, pasi të martën, specialistët e KKRT-së, pasi verifikuan 7 operatorë në pikën e ritransmetimit në Tarabosh të Shkodrës pas mbylljes vullnetarisht të sinjalit nga katër prej tyre, konstatuan se, ndryshe nga vitet e tjera, asnjë prej televizioneve të paliçensuar për atë zonë nuk ishin në transmetim! Pavarësisht reagimeve të ashpra të vetë mediave gjatë këtyre ditëve, ky hap vlerësohet si tejet pozitiv. Që nga muaji tetor i vitit të kaluar, kur KKRT-ja iu ka kërkuar mediave të mbyllin stacionet, për të cilët nuk janë liçensuar, ndryshe nga çfarë pretendojnë sot me zë të lartë, kanë kaluar mbi 7 muaj. Ne gjykojmë se ato e kanë pasur kohën e mjaftueshme për të reflektuar; me këtë hedhim poshtë çdo lloj pseudoargumenti të sjellë prej tyre me tone të larta për gjoja standarte të dyfishta në zbatimin e ligjit. Nuk ka dhe as nuk mund të zbatohen të tilla standarte, veçanrisht ndaj mediave.
Ndaj, KKRT-ja iu kujton dhe iu kërkon përsëri, subjekteve radiotelevizivë në të gjithë Shqipërinë: të transmetojnë në të gjitha pikat nga të cilat duhet të transmetojnë dhe, ose, të mbyllin vullnetarisht stacionet në pikat e paliçensuara.
|