Skip to content
5.06.2007 Për operatorin e katërt televiziv kombëtar Printoni E-mail
KKRT-ja ka vendosur fillimin e procedurave për operatorin e katërt televiziv kombëtar në vend. Zëvendëskryetarja, znj. Mesila Doda, dha sot një konferencë shtypi, në të cilën bëri të njohur vendimet...

Zëvendëskryetarja e KKRT-së, znj. Mesila Doda, dha sot një konferencë shtypi, në të cilën bëri të njohur vendimet e reja të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, të marra dje. Më poshtë po pasqyrojmë të plotë deklaratën e znj.Doda si dhe përgjigjet e pyetjeve të drejtuara nga gazetarët.

"Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit , në mbledhjen e tij të djeshme, ka vendosur fillimin e procedurave për operatorin e katërt televiziv kombëtar në vend. Ky vendim që u mor nga Këshilli Kombëtar u bë i mundur pas një sërë verifikimesh të kryera në terren nga Departamenti Teknik lidhur me mundësinë e hapjes së operatorit të katërt në vend.

Krahas këtij vendimi, u morën dhe një sërë vendimesh të tjera që në njëfarë mënyre kanë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë që sapo ju njoftova; pra, Këshilli rikonfirmoi domosdoshmërinë e vazhdimit të aksionit për respektimin e kushteve të licensave nga operatorët, që do të thotë se fillimi i punës së nisur për heqjen e impianteve të vendosura jashtë zonave të licensave si dhe respektimi i kushteve për përhapjen e hapjen e sinjalit nga televizionet kombëtare do të vazhdojë akoma me më shumë kujdes në ditët në vazhdim.

Respektimi i kushteve të licensave nga televizionet do të jetë një nga momentet primare që do të shoqërojë fillimin e kësaj gare për televizion kombëtar.

Këshilli pret në ditët në vazhdim relacionet më të fundit të Departamentit Teknik mbi respektimin e kushteve të licensave si nga televizionet kombëtarë, ashtu edhe nga ato vendorë.

Pyetje:

Pse nuk bëhet transparent raporti i Drejtorisë Teknike për frekuencat kur dihet që edhe vetë operatorët kanë drejtoritë e tyre teknike që bëjnë matjen e frekuencave e nuk është e vërtetë që është mundësia e një frekuence të vetme për licensë kombëtare? A është ky një vendim politik apo jo?

Doda: "Së pari, mendoj se pyetja juaj duhet ndarë në dy momente: a është politik ky vendim apo jo?

Unë besoj se të gjitha këto kanë lidhje me politikën audiovizuale që ndjek Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit. Këshilli nuk merr vendimin teknik, por vendimin e politikës audiovizuale që duhet të ndjekë ndaj mendoi se duhej të ishte edhe një operator tjetër televiziv në vend. Pra, ka lidhje me politikën audiovizuale që ndjek ky Këshill.

Përsa i përket pjesës së Departamentit Teknik, siç jua bëmë të ditur që në fillim, të gjitha relacionet dhe vendimet janë bërë shumë transparentë në raportin e fundit, që u mbajt në Kuvend.

Këshilli mori vendim për hapjen e kësaj gare duke i dhënë një detyrë Departamentit Teknik që të sqarojë deri në hollësi vendet ku do hapet gara e mëposhtme dhe pasi u pa nga Departamenti Teknik se ekzistonte një mundësi e tillë; hollësitë do të bëhen të qarta në ditët në vazhdim nga deklaratat që do të bëhen si dhe njoftimet për shtyp për hapjen e garës. Pra, fillimi i punës teknike dhe detajet e tjera do t'iu bëhen të ditura të gjithë operatorëve, në një hap të dytë.

Jeni në dijeni të faktit se mund të mos hyjnë operatorët kryesorë në këtë garë për faktin se keni dhënë vetëm një licensë?

Pikërisht në politikat audiovizuale vendoset kjo që sapo ju thashë. Varet nga dëshira e operatorëve për të hyrë në garë, nga mundësia e tyre. Këshilli ka për detyrë t'i vendosë dhe t'i respektojë të gjithë me të njëjtin kusht dhe të njëjtën mundësi. Mendoj se kjo pyetje është pa vend.

Sapo ju thashë edhe se licensat kombëtare do të rishikohen në bazë të kushteve që janë dhënë. Kemi një studim të Departamentit Teknik, i cili tregon vendet ku janë dhënë frekuencat dhe ku këto nuk janë respektuar. Këtu është fjala për televizionet kombëtare. Kemi dhe momente ku ne nuk kemi pasur mundësi të japim frekuenca për televizionet kombëtare dhe kjo do të rishikohet nga ana e Këshillit, në mënyrë që t'iu jepen sa më shpejt frekuenca në dispozicion.

Duhet t'ju sqaroj të gjithëve, se keni krijuar hera - herës zhurmë për gjëra të kota dhe shumë të paqarta, se nuk është e vërtetë që ne nuk kemi marrë masa ndaj operatorëve; operatori kombëtar "Arbëria" vetëm gjatë këtyre muajve të fundit i ka konsumuar të katër masat e ecurisë disiplinore dhe është në masat e fundit të tij. Ndërkohë, ka akoma çështje që janë çuar në gjykatë për masat disiplinore që janë dhënë. Pra, nuk është e vërtetë që nuk është marrë asnjë masë ndaj TV "Arbërisë"; nuk është marrë ende masë për përhapjen e sinjalit, por është marrë për strukturën programore. Për përhapjen e sinjalit, Departamenti Teknik po bën rishikimin e të dhënave edhe në terren e të gjitha këto do të prezantohen në Këshill për të marrë një vendim.

Në përfundim, do tju konfirmoj edhe njëherë tjetër vendosmërinë e Këshillit Kombëtar për të trajtuar në mënyrë të njëtrajshme të gjithë televizionet kombëtarë dhe rajonalë në zbatim të kushteve të licensës dhe të ligjit."

 


ZËDHËNËSJA

 

ARMANDA SHTËMBARI

 
 
sugjeroni-1.jpg

Pyetësori

Cfare mediash preferoni
 

Guida e Shqipërisë

alabanian-hotel-guide.png

Vizitorë në Faqe