| 22.10.2007 Bllokohen transmetimet e paligjshme në të gjithë territorin |
|
|
|
Pas rreth një viti paralajmërimesh dhe ndëshkimesh me gjoba, Këshilli u detyrua që më 8 tetor 2007 të ndërmerrte edhe masën më ekstreme të parashikuar nga ligji, atë të sekuestrimit të pajisjeve radio-televizive, ndaj disa operatorëve të palicencuar. Veprimet u kryen në pikën e Taraboshit, Kërcullës, Petreshit, Zvërnecit, Çardhakut dhe Ishmit. Nga një bilanc paraprak për operatorët analogë në të gjashtë pikat, rezulton të jenë sekuestruar pajisjet e: • Pesë ritransmetuesve të stacioneve greke në zonën e Gjirokastrës; • Dy operatorëve, “Vizion Plus” dhe “Telesport” në zonën e Elbasanit; • Televizionit “Koha”, në zonën e Vlorës. Nga ana tjetër, Këshilli Kombëtar i vlerëson dhe i falenderon këta operatorë dhe të tjerë, të cilët, në disa pika transmetimi, e respektuan vendimin e tij duke i larguar vetë pajisjet nga zonat për të cilat nuk ishin licencuar. Ata, që e meritojnë të përmenden për këtë veprim të tyrin, pro ligjit, janë: • Operatorët: “Top Channel”, “Vizion Plus”, “Koha” dhe Telesport” në zonën e Shkodrës; • “Top Channel” dhe “Vizion Plus” në zonën e Gjirokastrës; • Operatori “Koha” në zonën e Elbasanit; • “Top Channel” dhe “Vizion Plus” në zonën e Korçës. Ditën e shtunë, më 20 tetor, grupi i inspektorëve verifikoi edhe pikën e Kodër Ishmit, ku konstatoi se “Top Channel” dhe “Vizion Plus” i kishin ndërprerë transmetimet. Sikurse e kishte vendosur në mënyrë unanime, KKRT-ja realizoi fazën e parë të programit të saj për të garantuar ligjshmërinë në transmetimet radio-televizive në vend e tani do të vazhdojë fazën tjetër, e cila konsiston në bllokimin e operatorëve kabllorë të palicencuar dhe ruajtjen e gjendjes.
Zëdhënësja Armanda Shtëmbari |