Skip to content
18.04.2008 Zhvillohet konferenca "Shqipëria dixhitale - sfida e së ardhmes" Printoni E-mail

18040843-s.jpgKKRT-ja dhe OSBE-ja organizuan sot, konferencën kombëtare: “Shqipëria dixhitale – sfida e së ardhmes” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, institucioneve të huaja ndërkombëtare si dhe të komunitetit të medias. Sikurse u vërejt qartë që në emërtimin e saj, konferenca pati si qëllim, hedhjen e hapave të parë për të realizuar në vend, kalimin nga sistemi analog i transmetimeve audio-vizive në sistemin dixhital brenda vitit 2012.     

     Konferencën e hapi kryetarja e KKRT-së, znj.Mesila Doda, e cila i falenderoi pjesëmarrësit për interesin e shprehur qartë me praninë e tyre; më pas, të ftuarit i përshëndeti, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z.Robert Bosch. Z.Bosch vuri në dukje se vendimi për të ndjekur politikën e BE-së dhe për të finalizuar procesin e dixhitalizimit deri në vitin 2012 paraqet si mundësi, ashtu edhe sfida për komunitetin e medias elektronike dhe KKRT-në. Procesi i dixhitalizimit, tha ai, duhet kuptuar si një çështje me interes të përbashkët për publikun, operatorët televizivë, komunitetin e medias elektronike dhe aktorë të ndryshëm politikë. Në fund, Ambasadori siguroi se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet e gatshme t’i afrojë mbështetjen e saj KKRT-së dhe aktorëve të tjerë me qëllim që kalimi nga transmetimet analoge në numerike në Shqipëri të prihet nga një proces hartimi politikash gjithpërfshirëse. (Shih të plotë: Fjala e Ambasadorit te OSBE-se)
     Takimin në fjalë e përshendeti edhe Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, z.Helmut Lohan, i cili vuri në dukje se sfida e Shqipërisë është teknike, teknologjike dhe politike për shkak të angazhimeve të Shqipërisë, që duhen respektuar, për integrimin në BE.
     Duke kaluar në aspektin teknik, takimi vazhdoi me diskutimin e z.Eddie Tadej, përfaqësues i Këshillit të Lartë Audiovizual francez, ekspert i propozuar nga OSBE-ja për të mbështetur KKRT-në në hartimin e strategjisë së kalimit të transmetimeve nga analoge në dixhitale. Ai foli për “sektorin audio-vizual si një sfidë për Evropën audio dhe mësimet që mund të nxirren”. Po në këtë aspekt, Kryetarja e KKRT-së, znj.Doda foli më pas për dixhitalizimin në Shqipëri dhe elementët kryesorë për një strategji të sukseshme. “Nisur nga zhvillimi i këtij procesi në vendet e tjera, përpara nesh mund të paraqiteshin disa skenarë të mundshëm, tha ajo.
     Së pari, kalimi apo përqasja “e butë”, në të cilën periudha e tranzicionit do të jetë relativisht e gjatë ; operatorët ekzistues analogë që do të kalonin në këto platforma numerike do të jenë të detyruar të ruajnë transmetimet në rrjetin ekzistues analog për aq kohë sa pjesa më e madhe e popullsisë të pajiset me dekoderë.
     Së dyti, kalimi apo përqasja “e fortë”, në të cilën parashikohet kalimi në transmetime tërësisht numerike të rajoneve të veçanta, duke mbyllur krejtësisht transmetimet analoge në to. Ky skenar, që njihet me emrin skenari i “ishujve numerikë”, redukton në minimum kohën e tranzicionit, rrjedhimisht edhe kohën e transmetimeve simulcast për rajone të caktuara. Përcaktimi i saktë i prioriteteve të kalimit ne transmetimet numerike dhe subvencionimi i dekoderëve, sidomos për kategori të caktuara teleshikuesish, mund të garantonte suksesin e aplikimit të këtij skenari.
Përcaktimi i rrugës apo alternativës së duhur që duhet ndjekur, do të përbënte një nga sfidat më të mëdha të këtij procesi”, nënvizoi znj.Doda.(Shih të plotë: Fjala e Kryetares se KKRT-se)
     Konferenca i vazhdoi punimet edhe në një sesion tjetër pasdite, me pyetje e përgjigje si dhe diskutime të përfaqësuesve të komunitetit të medias kudo në Shqipëri. Ajo do të pasohet edhe nga takime të tjera, që do t’i shërbejnë të njëjtit qëllim: gjetjes dhe përdorimit të rrugëve më të mira për kalimin e transmetimeve analoge në dixhitale brenda vitit 2012.

                                                                                                                       Zëdhënësja

                                                                                                                Armanda Shtëmbari

 
 
sugjeroni-1.jpg

Pyetësori

Cfare mediash preferoni
 

Guida e Shqipërisë

alabanian-hotel-guide.png

Vizitorë në Faqe