|
Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Etikës në Media, në bashkpunim me CIMO, organizoi më datë 21 shtator 2012, në ambjentet e Tirana International, një seminar mbi çështjet e etikës në media.
Në seminar morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të medias elektronike dhe asaj të shkruar që operon në vend, si dhe shoqatave të gazetarëve.
Në fjalën e mbajtur Kryetarja e KKRT-së, Dr. Endira Bushati e vuri theksin tek rëndësia që ka etika në kuadrin e zhvillimit të madh që ka sot media, dhe ndikimi në jetën e qytetarëve. “Organizimi i kësaj konference ka si qëllim mobilizimin dhe diskutimin e çështjeve të etikës ndërmjet gazetarëve dhe aktorëve në tregun mediatik. Shqyrtimi i rasteve të ndryshme, debatimi i tyre me qëllim diskutimin e ideve për një çështje kaq të mprehte e cila prek jetën e qytetarëve”.
Nga ana tjetër Nënkryetari i komisionit të Medias dhe edukimit në Kuvendin e Shqipërisë, z Mark Marku theksoi se problemet e etikës janë parësore dhe të shumëdiskutuara në median botërore. “ Në thelb të diskutosh për etikën, do të thotë të diskutosh mardhëniet e shoqërisë”.
Më pas konferenca vazhdoi me diskutime të tjera mbi çështje konkrete të etikës. Rastet më të fundit të trajtuara nga media ishin në qendër të diskutantëve. Secili prej të pranishmëve solli shembuj konkret nga lajmet e përditshmë, gjë për të cilën, pati dhe diskutime të ndryshme, shkëmbime pikëpamjesh dhe debate konstruktive mbi etikën në media. Përfaqësues të medias publike dhe asaj private theksuan rëndësinë e raportimit të lajmit nga gazetarët pa cenuar etikën që media duhet të respektojë.
Qëllimi i Ditës Ndërkombëtare të Etikës në Media është për të diskutuar çështjet e etikës në media, për të shqyrtuar raste të ndryshme, si dhe pjesëmarrja dhe roli i tyre në debatet në lidhje me dilemat të ndryshme etike që ata mund të hasin gjatë punës së tyre.
21 Shtatori është një ditë që diskutohet dhe debatohet për problemet e etikës në media në të gjitha vendet e lira me media të pavarur, të lirë dhe profesionale. |