|
KKRT-ja dhe OSBE-ja mblodhën sot një mori propozimesh për dixhitalizimin e transmetimeve radio-televizive në Shqipëri nga rreth 30 media elektronike, që operojnë në zonat veriore të vendit.
Këtij qëllimi i shërbeu konferenca e dytë “Shqipëria dixhitale – sfida e së ardhmes”, që u organizua në një format më të përmbledhur në qytetin e Shkodrës.Mendime për mënyrën dhe mjetet për të shndërruar në dixhitale, pajisjet aktuale të transmetimit nga mediat, kostot dhe problemet e tjera që lidhen me këtë proces, u dhanë edhe nga përfaqësuesit e prefekturave, qarqeve dhe bashkive të Shkodrës, Lezhës, Kukësit dhe Dibrës.
“Vjelja” e ideve dhe mendimeve nga vetë biznesmentët e medias elektronike ,për mënyrën e dixhitalizimit të transmetimeve të sotme tokësore, brenda vitit 2012, siç synojnë të gjitha vendet europiane, është një proces këshillimi publik mëse serioz që ka filluar që nga muaji prill i këtij viti nga KKRT-ja dhe mbështetur nga OSBE-ja.
Kryetarja e KKRT-së, znj.Mesila Doda, duke vlerësuar mjaft pjesëmarrjen dhe angazhimin e operatorëve të zones së veriut në këtë proces të ri, iu drejtua atyre me fjalët:
“Këto kontribute do të jenë pjesë e një strategjie kombëtare, të plotë dhe gjithëpërfshirëse, e cila parashikohet të jetë efektive dhe të nisë nga zbatimi brenda muajit tetor 2008, duke përfshirë dhe eksperiencat e vendeve që janë përpara në këtë proces, edhe standardet dhe praktikat më të mira evropiane në këtë fushë”. Dhe, nisur nga pjesëmarrja specifike në konferencë, znj.Doda nënvizoi idenë se“ duke shfrytëzuar avantazhet që ofron kjo teknologji, operatorët e zonës, në marrëveshje dhe mirëkuptim me njëri –tjetrin, mund të bëjnë të mundur mbështetjen e gjithë programeve ekzistuese analoge në platformën numerike lokale të Shkodrës, Dibrës apo Lezhës. Kjo jo vetëm do të lejojë zgjerimin e mbulimit e rrjedhimisht, audiencës së secilit nga operatorët aktualë, por do të përmirësojë rrënjësisht, cilësinë dhe sigurinë e transmetimeve”. (Për më shumë shih: Fjala e znj.Mesila Doda)
Në konferencë, ishte i pranishëm edhe Zv/Kryetari i Prezencës së OSBE-së, z.Alex Finnen, i cili tha: “Prezenca e OSBE-së ka theksuar vashdimisht se procesi i dixhitalizimit do të jetë kompleks, sfidues dhe shumëanësh, veçanërisht përsa i përket Shqipërisë, e cila ka një popullsi të shpërndarë gjërësisht në zonat rurale dhe një gjeografi të ndërlikuar. Kapërcimi i i këtyre pengesave do të kërkojë bashkëpunim dhe punë në skuadër në një proces, që megjithëse udhëhiqet nga KKRT-ja në nivel kombëtar, kërkon që të gjithë ju të luani një rol të plotë dhe aktiv”. Duke theksuar se “interesat publike janë të domosdoshme dhe përfshijnë lirinë e shprehjes, të drejtën për informim, pluralizëm të mediave, konkurencë të ndershme dhe mbrojtje për konsumatorin, z.Finnen shtoi se “ky sfond shpjegon edhe njëherë angazhimin e OSBE-së në këtë çështje”. (Për më shumë shih: Fjala e z.Alex Finnen)
Më pas, fjalën e morën me radhë ekspertët e fushës, që shpjeguan vijueshmërinë e procesit të kapërcimit nga transmetimet analoge në dixhitale gjatë 4 vjetëve të ardhshëm.
Në aspektin ligjor, sipas znj.Elona Kana, Drejtore juridike dhe e licencave në KKRT, “ një propozim për përmirësimin e gjithë legjislacionit të medias është shkrirja në një të vetëm i dy ligjeve aktuale, nr.8410 dhe 9742, me qëllim përputhjen e plotë mes tyre dhe lehtësimin e kalimit total në vitin 2012 në transmetim numerik”.
Në aspektin teknik, z.Pirro Koçi, Drejtor teknik, u fokusua në politikën globale, rajonale dhe kombëtare të administrimit të frekuencave, për të realizuar shfrytëzimin efektiv të kësaj rezerve kombëtare të kufizuar; gjithashtu, ai trajtoi dhe krahasimin e standarteve të rrjeteve analoge me ato dixhitale dhe rrugët e mundshme të kalimit krejtësisht në sistemin dixhital.
Në aspektin programor, z.Andrea Nathanaili, Drejtor i programeve, vuri në dukje se “mbetet ende i diskutueshëm fakti se cili është roli i autoritetit rregullator në krijimin e buketës programore të një rrjeti numerik, pavarësisht përmendjes në ligj se “KKRT-ja përcakton kriteret në lidhje me tipologjine e programeve në një rrjet”. Është e domosdoshme, tha z.Nathanaili, të mbahet parasysh parimi që, të vendosen detyrime për të mbrojtur interesat e publikut. Qoftë në strategjinë e re, qoftë në ligjin integral që po përgatitet, ky aspekt duhet të përcaktohet i qartë. Ndaj, kërkohet edhe mendimi i vetë operatorëve”.
Mbledhja dhe dokumentimi i ideve të operatorëve radio-tv dhe, në një fazë të mëtejshme, edhe të qytetarëve, është një proces i rëndësishëm, që po ndiqet me seriozitet; pas Tiranës e Shkodrës, KKRT-ja do t’i drejtohet edhe Durrësit e Vlorës për të qënë sa më afër “burimit” të ideve në kuadrin e këshillimit të gjërë me publikun, që tashmë ka filluar.
Për këtë qëllim, Këshilli ka hapur edhe në faqen e tij të internetit, www.kkrt.gov.al , pyetësorin përkatës, të cilin janë ftuar ta plotësojnë të gjithë të interesuarit.
Zëdhënësja
Armanda Shtëmbari
|