|
"Raporti vjetor i Komisionit Evropian mbi Progresin e Shqipërisë në rrugën e Integrimit Evropian konsiderohet si një nga instrumentet më të rëndësishme të monitorimit të ecurisë së reformave të ndërmarra nga Shqipëria në të gjitha fushat, në përputhje me përparësitë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të Partneritetit Evropian. Fusha e politikave audio-vizuale, si pjesë e kritereve politike për anëtarësim, zë një vend të vecantë në raportin e përgatitur nga Komisioni Evropian për vetë rëndësinë që mbart liria e shprehjes si dhe për shkak të rolit të veçantë që luan media në një shoqëri demokratike.
KKRT vlerëson maksimalisht analizën e bërë dhe rekomandimet e dhëna në këtë raport për fushën e medias, duke i konsideruar ato si një program pune për të gjitha institucionet që janë të përfshira në këtë fushë dhe si një udhëzues për masat konkrete që duhet të ndërmerren dhe realizohen me përparësi në të ardhmen.
Përsa i përket fushës audio-vizuale, theksohet në mënyrë të qartë se ka progres në këtë fushë duke vlerësuar në mënyrë të vecantë hapat e ndërmarrë nga KKRT-ja ndaj operatorëve televizivë privatë që transmetonin jashtë zonës së tyre të licencimit. Vlen të theksohet se për këtë cështje, KKRT-ja u vu në qendër të sulmeve të një pjesë të politikës dhe të disa mediave të caktuara. Jemi të kënaqur që më në fund, vendimi unanim që mori Këshilli për ndërprerjen e sinjaleve jashtë zonave të licencimit, u konsiderua i drejtë dhe u mbështet edhe nga institucionet e rëndësishme evropiane sic është edhe Komisioni Evropian.
Vlerësohet në mënyrë të vecantë miratimi i ligjit “Për transmetimet numerike” si një ligj në përputhje me standartet e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, ndërkohë që theksohet fakti që KKRT-ja ka nevojë të zbatojë ligjin e ri për transmetimet dixhitale në përputhje me praktikat e BE-së. Në këtë kuadër, ka disa kohë që KKRT-ja është duke punuar me hartimin e akteve nënligjore përkatëse, duke u mbështetur edhe në eksperiencat e vendeve të tjera, të cilat, brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, do të miratohen nga KKRT-ja.
Raporti gjithashtu, i kushton një vëmendje të vecantë reformës ligjore në fushën e transmetimeve radio-televizive, duke kërkuar përshpejtimin dhe përfundimin e saj, brenda afateve të përcaktuara në Planin e Veprimit. Sigurisht që ky është një rekomandim që kërkon investimin e drejtpërdrejtë të Kuvendit të Shqipërisë, në mënyrë specifike të Komisionit të Medias, si organi përgjegjës për realizimin e kësaj reforme ligjore, e cila do të bënte të mundur hartimin e një legjislacioni modern dhe në përputhje me standartet dhe praktikat më të mira evropiane në këtë fushë. Nga ana e saj, KKRT-ja ka ofruar gjithë eksperiencën dhe ekspertizën që ajo disponon në lidhje me realizimin sa më me sukses të kësaj reforme.
Raporti vlerëson zbatimin e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për rritjen e numrit të anëtarëve të KKRT-së dhe KDRTSH-së si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional të realizuar nga KKRT-ja me disa institucione sic është edhe bashkëpunimi me Autoritetin e Konkurencës në nxitjen e konkurencës së lirë në fushën e mediave elektronike.
Funksionimi i Këshillit të Etikës dhe trainimi i gazetarëve në lidhje me cështjet e Etikës konsiderohet i nevojshëm, sipas këtij raporti. Në lidhje me këtë problem, duhet të theksojmë se ka disa javë që Këshilli i Etikës, i kryesuar nga publicisti i njohur z.Fatos Lubonja dhe me anëtarë z.Remzi Lani dhe z.Bashkim Hoxha, është bërë funksional dhe ka filluar aktivitetin e tij. Ndërkohë që duke filluar nga muaji janar 2008, KKRT-ja do të ndërmarrë realizimin e një cikli seminaresh për trainimin e gazetarëve të rinj dhe sidomos të studentëve të gazetarisë me cështjet që trajton ky institucion.
Raporti ngre me të drejtë si cështje problematike faktin se “burimet njerëzore dhe financiare të KKRT-së mbeten të kufizuara, në mënyrë të veçantë përsa i përket shpërndarjes së frekuencave, parandalimit të zënies pirate të frekuencave, luftës kundër piraterisë në të drejtën e autorit dhe monitorimit të transmetuesve”.
Në këtë aspekt, KKRT-ja gjen rastin t’iu drejtohet Kuvendit të Shqipërisë dhe institucioneve të tjera të larta shteterore, që të ndërhyjnë për përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe rritjen e burimeve financiare për këtë institucion, si masa të domosdoshme për të rritur efektivitetin, respektimin dhe zbatimin e plotë të legjislacionit ekzistues në fushën e mediave elektronike.
Një element tjetër ku duhet të fokusohet vëmendja, sipas raportit të KE-së, është se “ KKRT ka akoma për të hartuar një strategji për zhvillimin e sektorit radio-televiziv dhe një plan te përditësuar për të rregulluar frekuencat analoge dhe dixhitale.”
Në lidhje me këtë rekomandim, duhet të theksojmë se KKRT-ja, me mbështetjen edhe të Zyrës së OSBE-së në Tiranë, është duke punuar për hartimin e një strategjie në fushën e mediave elektronike, strategji që mendohet të përfundojë brenda tremujorit të parë të 2008-s.
Si përfundim, mund të thuhet që Raporti i Komisionit Evropian për pjesën e mediave, në vijushmëri të plotë edhe me rekomandimet e dala nga takimet e mëparshme të formave të ndryshme BE/Shqipëri, konsiderohet si një raport realist që duhet të merret me shumë seriozitet nga të gjitha institucionet përkatëse, me qëllim ndjekjen, zbatimin dhe adresimin me rigorozitet të të gjitha rekomandimeve të parashtruara në të, c’ka do të përbënte një hap të mëtejshëm në realizimin e standarteve të kërkuara."
|