Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit vendosi t’i japë sot, licencën e operatorit të katërt kombëtar në vend, televizionit “Top Channel”.
Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes, kryetarja e KKRT-së, znj.Mesila Doda, u shpreh për mediat: “Dua t’ju komunikoj vendimin më të fundit të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, që ka të bëjë me shpalljen e operatorit të ri kombëtar, i cili është “Top Channel”.
“Top Channel”, si operatori i ri kombëtar, doli pas një votimi kolegjial me 7 vota pro të anëtarëve të Këshillit; doli pas një gare, e cila ishte shumë e fortë midis dy operatorëve: “Top Channel” dhe “Vizion Plus”. Diferencat ndërmjet dy operatorëve nuk janë të mëdha; janë të natyrës së dokumentave, ku njëri operator kishte mangësi dokumentash, tjetri kishte shmangie nga kriteret e KKRT-së e megjithatë, dua t’jua përsëris: Ishte një garë e fortë!
Kriteret me pikëzim që aplikoi KKRT-ja, u morën në shqyrtim nga anëtarët e Këshillit; u kërkuan sqarime deri në detaje për dokumentat që ekzistonin, për ato që ishin paraqitur për vlefshmërinë, besueshmërinë e tyre, se sa reale ishin, dhe, mbas këtij procesi , doli operatori më i fundit që është “Top Channel”.
Dua të them se ky është vetëm një hap i parë në liberalizimin e tregut mediatik; i takoi “Top Channel”-it, që është një operator i fuqishëm - një operator shumë serioz, që të marrë këtë licencë kombëtarë dhe t’i afrojë shërbimet e tij qytetarëve të Shqipërisë.
Dua të përsëris parimet mbi të cilat ky Këshill do të vazhdojë të funksionojë, që janë: parimi i fjalës së lirë, parimi i injë informacioni pa kufi për qytetarët shqiptarë dhe nga ana tjetër, ai i liberalizimit të një tregu, se siç e dini, jo shumë vonë do të kemi frekuenca kombëtare që mund të variojnë nga 60-80, sipas asaj që mund të na afrojë dhe tregu dixhital. Eshtë një shërbim ky që i bëhet qytetarëve të Shqipërisë, që do të kenë mundësi tani në çdo skaj të vendit të ndjekin edhe një operator tjetër. Ky është dhe një hap tjetër drejt një tregu më të hapur dhe më cilësor në Shqipëri”, përfundoi znj.Doda.
Zëdhënësja
Armanda Shtëmbari
|