kryetaria-dr-endira-bushati
Kryetarja e KKRT-së
Dr. Endira Bushati

BASHKËPUNIMI

logo-epralogo_rirmebu_logo
itu-official-logo_75navi_obs
29.02.2008 Mblidhet Tryeza e Rrumbullakët për Etikën Print E-mail
11.jpgsss.jpg


Problemet e etikës në median elektronike u trajtuan sot, gjatë punimeve të një Tryeze të Rrumbullakët, organizuar nga KKRT-ja, Këshilli i Etikës pranë saj dhe Instituti i Medias. Në debat merrnin pjesë deputetë, regjisorë, analistë dhe drejtues të mediave në vend.
Në debat u trajtuan tema të etikës në programet televizive, të respektimit të kodit etik, të zbatimit të normës së gjuhës shqipe, të ruajtjes së dinjitetit dhe privatësisë së njeriut, të mbrojtjes së të miturve nga dhuna apo nga abuzimi me to. Një vend të veçantë në trajtesën e temave zuri edhe përdorimi i krijimeve të kohës së diktaturës, të cilat në vijimësi po i transmetohen gjithnjë e më shpesh publikut shqiptar .
Lidhur më këtë çështje, kryetari i Këshillit të Etikës pranë KKRT-së, z.Fatos Lubonja, vërejti se transmetimi sot, i krijimeve të kohës së diktaturës, si filmat apo muzika, të cilat po glorifikohen, duhen parë me sy kritik; nuk është vetëm çështje nostalgjie ndaj së shkuarës, por edhe një rendje pas komercializmit deri dhe në banalitet.
Anëtari i këtij këshilli, z.Remzi Lani, vuri në dukje së çështjet e etikës televizive përfshijnë një sërë problemesh që lidhen me respektimin e pavarësisë dhe privatësisë së individit, respektimin e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, minoriteteve etj.
Kryetarja e KKRT-së, znj. Mesila Doda, informoi lidhur me masat paralajmëruese dhe kërkesat e KKRT-së pranë operatorëve ose organeve të respektimit të ligjit, që nuk zbatojnë normat e etikës dhe dinjitetit njerëzor. Vëmendje të veçantë, shtoi ajo, kemi patur ndaj gjithë këtij realiteti të risjelljes së krijimeve të sistemit diktatorial komunist, pasi kjo është një dukuri që po kryhet në mungesë të plotë të respektit ndaj shtresave të përndjekura si edhe në një shtrembërim të fakteve të së kaluarës që po transmetohen gabimisht si vlera në brezin e ri. Krijimi i hapësirave më të mëdha ligjore do të ishte i domosdoshëm për ta kthyer Këshillin e Etikës dhe KKRT-në në një organizëm edhe më aktiv në çështjet e etikës.
U ndoq me interes edhe diskutimi i regjisorit të mirënjohur, z.Saimir Kumbaro, i cili sugjeroi se shumë prej atyre filmave dhe programeve të kohës së diktaturës, që ritransmetohen sot, duhet të shoqërohen para apo pas transmetimit me shpjegimin përkatës se në cilat kushte janë xhiruar, me analiza dhe komente nga kritikë dhe realizues të këtyre filmave.
Deputeti dhe regjisori, Besnik Bisha, theksoi domosdoshmërinë e ndarjes së vlerave nga antivlerat dhe të sensit të masës në autovlerësimin e krijuesve si dhe të respektimit të profesionalizmit dhe të kritereve etike në median vizive.
Anëtari I Këshillit të Etikës, z.Bashkim Hoxha u ndal në një aspekt tjetër të komunikimit televiziv: në respektimin e normës së gjuhës letrare kombëtare nga operatorët. Sipas tij, në disa media, konstatohet mosnjohje dhe mungesë përgjegjësie në zbatimin e standarteve gjuhësore.
Në kumtesën e mbajtur nga drejtoresha e televizionit publik, znj. Mirela Oktrova, u ngrit shqetësimi për praninë e dhunës në media; u sollën shembuj krahasues që dëshmonin për praninë e saj dhe për dëmin që shkakton dhuna në formimin e personalitetit të moshave të reja.
Në tryezë, gjatë diskutimeve, u vlerësua kujdesi i KKRT-së që operatorët televizivë të tregohen më të vëmendshëm në respektimin e kërkesave të ligjit dhe të kodit të etikës për rastet e cënimit të dinjitetit të personave që arrestohen nga policia, për çështje të gjuhës si dhe për ndalimin e imazheve që shkelin të drejtat e fëmijëve.
Në mbyllje të tryezës u ritheksua nevoja e zbatimit dhe e përsosjes së legjislacionit në fuqi si edhe e zbatimit nga vetë operatorët radio-televizivë të një kodi etik, i cili tashmë është bërë kusht i domosdoshëm për median tonë elektronike.

 
Albanian
button-kkrt-327-pixel-final
projekt
rtshtop-tvklan