kryetaria-dr-endira-bushati
Kryetarja e KKRT-së
Dr. Endira Bushati

BASHKËPUNIMI

logo-epralogo_rirmebu_logo
itu-official-logo_75navi_obs
13.03.2008 Kryetarja e KKRT, Mesila Doda, lexon në Kuvend Raportin e vitit 2007 Print E-mail

doda33.jpg

 

Sot, Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, znj.Mesila Doda, lexoi në Kuvendin e Shqipërisë, Raportin Vjetor të KKRT-së për vitin 2007. Më poshtë, po ju dërgojmë fjalën e plotë të mbajtur nga znj.Doda në Kuvend.

Zëdhënësja

Armanda Shtëmbari

 

"E nderuara zonja Kryetare!

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë!

Të nderuar të ftuar!

Bazuar në ligjin “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë» kam nderin të raportoj para jush mbi veprimtarinë e KKRT-së gjatë vitit 2007. Sigurisht që në fjalën time do të jetë vetëm një pjesë e përmbledhur e punës së KKRT-së për vitin 2007, e cila ju është paraqitur në raportin vjetor, të cilin e keni përpara.
Viti 2007 ka qenë një vit i vështirë për KKRT-në si për sfidat e përballuara, ashtu edhe për vështirësitë e njohura të konstituimit e organizimit. Por, rezultatet e arritura që po i parashtrojmë para jush, na bëjnë të konkludojmë se ky vit rezultoi një vit i suksesshëm, që ka shënuar një kthesë rrënjësore në rregullimin e mediave elektronike duke vendosur « rregullin e ligjit » dhe duke shtruar rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm.
Si bazë e punës së KKRT-së për vitin 2007 kanë shërbyer detyrat e vendosura nga Kuvendi në rezolutën e datës 4 qershor 2007, ku :

1. I tërhiqej vëmendja KKRT-së në drejtim të rritjes së autoritetit të zbatimit të ligjit në mënyrë konstante dhe pa diferencime nga ana e këtij institucioni.
2. Kërkohej hartimi, në një kohë sa më të shkurtër, i Planit Kombëtar të Caktimeve Frekuencore, në fushën e transmetimeve analoge dhe numerike.
3. Dhe nxitej, reformimi i mëtejshëm ligjor e institucional i KKRT-së, për ta organizuar atë në mënyrë më funksionale dhe sipas të njëjtave parime që organizohen autoritetet rregullatore në të gjitha vendet evropiane.

Ndjekja me prioritet e detyrave të mësipërme bëri që të arrihen rezultate të menjëhershme dhe të prekshme, të cilat gjetën reflektim edhe në Raportin e Komisionit Europian për vitin 2007, në të cilin thuhet:

“Ka progres në fushën e politikës audio-vizuale. KKRT mori masa rigoroze kundër operatorëve televizive privatë që transmetonin jashtë zonës së tyre të licencimit”.

Gjatë vitit 2007 janë bërë hapa vendimtarë në hartimin e Planit Kombëtar të Frekuencave, të cilat jo vetëm siguruan licencimin e operatorit të tretë analog kombëtar, por garantojnë edhe licencimin e operatorëve të parë numerikë.
Reformimi i mëtejshëm ligjor e institucional, sipas parimeve të sanksionuara në dokumentet kryesore të komunitetit evropian, është një punë e cila në vitin 2007 është përmirësuar në përmbajtje e cilësi. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik është në dijeni të të gjithë punës që ka bërë dhe po bën KKRT-ja, për shkak të pjesëmarrjes së tij në ndryshimin e ligjit ekzistues për funksionimin e KKRT-së, hartimit të ligjit për transmetimet numerike dhe rregulloreve që po përgatisim në zbatim të tyre.


ÇËSHTJE JURIDIKE

Viti 2007, me shumë se asnjëherë tjetër ka shënuar forcimin e mëtejshëm të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit dhe afirmimin e rolit të tij si autoritet rregullator i veprimtarisë radiotelevizive, nëpërmjet rritjes së strukturës organizative, kapaciteteve menaxhuese, forcimit të lidhjeve ndërinstitucionale dhe përmirësimit të mjeteve e instrumenteve të domosdoshëm për mbështetjen e veprimtarisë.
Sidoqoftë, nuk mund të anashkalojmë faktin e njohur se, gjatë këtij viti, dhe posaçërisht në periudhën qershor-shtator 2007, KKRT-ja ka pasur edhe një periudhë ku nuk ka mundur të realizojë plotësisht funksionin e saj. Në këtë kohë, Këshilli kishte në përbërje të tij vetëm katër anëtarë, ndërkohë që ligji nr. 8410, datë 30.09.1998, i ndryshuar, parashikon që për dhënie e heqje licence dhe miratimin e rregulloreve për dhënien e licencave duhet një kuorum jo më pak se pesë vota pro. E sjellim në vëmendje sa më sipër pasi, si pasojë e kësaj situate erdhën edhe vonesa në arritjen e disa objektivave të KKRT-së, për përmbushjen e të cilave është bërë një punë më e madhe gjatë muajve në vazhdim.
Ligji nr. 8410, datë 30.09.1998 "Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, ka qenë baza kryesore dhe e vetme, që përcaktonte drejtimet kryesore të politikave të zhvillimit të medias në Shqipëri. Harmonizimi i këtij ligji me teknologjitë e reja, realitetin e tregut dhe përmbushjen e detyrimeve që ka Shqipëria nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, ka bërë prioritare kryerjen e një reforme të plotë ligjore.
Në këtë drejtim, gjatë vitit 2007, KKRT-ja, krahas zbatimit dhe realizimit të detyrave dhe objektivave të përgjithshme, një vëmendje të veçantë i ka kushtuar evidentimit të vakumeve ligjore përballë evolucionit teknologjik, ekonomik, social dhe kulturor në sektorin audio-viziv, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve përkatëse në fushën e transmetimeve radio-televizive. Jo vetëm kjo, por edhe problemet e hasura në praktikën e përditshme, si dhe vështirësitë dhe pengesat që ka paraqitur zbatimi i ligjit për veprimtarinë radiotelevizive, janë evidentuar nga KKRT-ja me qëllim përgatitjen e vërejtjeve dhe propozimeve për ndryshime organeve përkatëse.
Përhapja e gjerë e teknologjisë digitale është një nga sfidat e reja të kuadrit ligjor dhe nënligjor të veprimtarisë së medias. Ligji nr. 8410, nuk parashikonte mundësinë e transmetimit të programeve nëpërmjet teknologjisë numerike, duke u bërë barrierë për zhvillimin e këtij sektori. Për plotësimin e këtij boshllëku ligjor, më datë 28.05.2007, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 9742 “Për Transmetimet numerike”, i cili ka si qëllim përcaktimin e një kuadri rregullues për hyrjen e transmetimeve numerike.
Gjatë vitit 2007, nga Kuvendi i Shqipërisë, nisi edhe reforma e plotë ligjore në fushën e medias me hartimin e një ligji të ri me qëllim jo vetëm përmirësimin e kuadrit ligjor, por edhe përputhjes së legjislacionit tonë në fushën e medias me standartet dhe praktikat më të mira të vendeve evropiane. Nga ana tjetër, mbetet e nevojshme t’i jepet zgjidhje problemeve që rrjedhin nga mangësitë e ligjit aktual apo zbatimi jo korrekt i tij, si psh. ndarja e transmetimeve radiotelevizive nga bota e politikës; forcimi i pavarësisë së KKRT-së (duke i rritur pavarësinë financiare); rritja e performancës së televizionit publik (veçanërisht duke ndryshuar mënyrën e financimit); vendosja e marrëdhënieve të qëndrueshme mes sektorit publik e privat etj.

Gjithashtu, KKRT-së, si një prej aktorëve kryesorë të interesuar, i është kërkuar mendim nga Kuvendi dhe ka paraqitur propozimet e veta si për projektligjin e transmetimeve numerike, edhe për draftin aktual të ligjit integral “Për radion dhe televizionin publike e privat në Republikën e Shqipërisë”. Këto propozime janë mbështetur në praktikën e deritanishme, ndërkohë që janë ndërthurur edhe me eksperienca të ndryshme të marra nga legjislacionet e vendeve të huaja si ai italian, bullgar, polak, anglez etj.
Një nga propozimet kryesore të KKRT-së është shkrirja në një të vetëm i dy ligjeve aktuale nr. 8410 dhe 9742, me qëllim përputhjen e plotë mes tyre dhe lehtësimin e kalimit total në vitin 2012 në transmetim numerik. Ligji i ri duhet të aktivizojë potencialin teknik, ekonomik të medias - si një faktor kyç i shoqërisë së informacionit, duhet të liberalizojë më shumë tregun, të promovojë konkurrencën, krijimin e klimës së duhur të investimeve, por njëkohësisht të konservojë rolin tradicional të radios dhe televizionit në aspektin social, kulturor dhe edukues.
Një ndërmarrje e rëndësishme gjatë këtij viti, në kuadër të përmirësimit të mënyrës së licencimit të operatorëve radiotelevizivë, ka qenë dhe hartimi i akteve nënligjore përkatëse për mbarëvajtjen e transmetimeve radiotelevizive, apo ndryshime në ato ekzistuese. Duke qenë kompetencë direkte e KKRT-së e parashikuar në ligj, hartimi apo ndryshimi i rregulloreve, i ka dhënë mundësi dhe hapësira institucionit që brenda kuadrit ligjor të përmirësojë aktivitetin e saj dhe lehtësojë veprimtarinë e operatorëve.
Kështu, në zbatim të ligjit nr. 9742, datë 28.5.2007, “Për transmetimet numerike në Republikën e Shqipërisë”, është përfunduar dhe pritet të miratohet në Këshill “Rregullorja për licencimin e transmetimeve numerike”. Megjithatë, me qëllim që KKRT –ja të nisë procedurat për licencimin e operatorëve të parë numerikë tokësorë, përveç miratimit të rregullores, është e domosdoshme edhe përfundimi i “Strategjisë për kalimin në transmetimet numerike”, që është duke u hartuar në bashkëpunim edhe me organizmat ndërkombëtarë e aktorë të interesuar.
Gjatë këtij viti, u punua edhe për ndryshimin e Rregullores së licensimit të operatorëve kombëtarë. KKRT-ja, me Vendimin nr. 628, datë 03.10.2007 miratoi Rregulloren e re me Kriteret “Për dhënien e licencave për transmetime televizive analoge tokësore në nivel kombëtar". Në bazë të kësaj Rregulloreje dhe kriteret e përcaktuara në të, u realizua në 15.11.2007 gara për licencimin e operatorit të tretë televiziv privat analog kombëtar, që padyshim përbën një arritje tjetër të punës së KKRT-së. Brenda afatit 90 ditor për shqyrtimin e aplikimeve, KKRT në datë 21.01.2008 mori vendimin e licensimit të subjektit “Top Channel TV” si operator kombëtar, pas një konkurrimi me subjektin “TV Vizion +”. Dhënia e kësaj license konsiderohet si një hap tjetër drejt liberalizimit të tregut mediatik, një tregu më të hapur dhe më cilësor në Shqipëri.
Gjithashtu, në zbatim të risive që po sjell KKRT-ja në licencimet e operatorëve të rinj, licencimi i televizioneve privatë kabllorë, ndërrimi apo zgjerimi i zonave të tyre të transmetimit, në ndryshim nga vitet e tjera tashmë bëhet nëpërmjet konkurimit publik të kandidaturave, në mbështetje të Vendimit nr. 590, datë 04.06.2007 të KKRT-së, duke sjellë kështu një transparencë maksimale tek subjektet e ndryshëm rtv. të cilët kërkojnë të licencohen, zgjerohen apo ndërrojnë zonën e tyre të licencimit. Në lidhje me licensimin e operatorëve kabllorë mendohet që gjatë vitit 2008, të bëhen përmirësime të tjera në Rregullore për qartësimin e procedurave të licensimit të operatorëve kabllorë, meqenëse dispozitat e ligjit nr. 8410, nuk janë shumë të detajuara. Megjithatë përmirësimi i dispozitave të licensimit të operatorëve kabllorë mund të bëhet edhe në ligjin e ri.

Liçensimet

Licensimi i operatorëve radio-televizivë është një nga funksionet kryesore të KKRT-së, i cili bëhet në bazë të kërkesave të subjekteve, disponibilitetit të frekuencave dhe në përputhje me kuadrin ligjor përkatës.
Gjatë vitit 2007, KKRT–ja ka marrë gjithsej 110 vendime. Pjesa më e madhe e këtyre vendimeve konsiston në shqyrtimin e aplikimeve për licencime, rilicencime, shqyrtime dokumentacioni dhe gjobash të vëna nga KKRT-ja për subjekte të ndryshëm radiotelevizive.
Gjatë vitit 2007, KKRT-ja ka licencuar gjithsej 4 subjekte rtv., nga të cilët: 1 për transmetim televiziv vendor, 2 subjekte për televizion kabllor dhe një subjekt për transmetim radio vendore. Këto subjekte janë :

1. TV vendor “Tele Joni” ( Himarë – Sarandë)
2. TV kabllor “TV Kamëz” ( Kamëz)
3. TV kabllor “Bilisht” ( Bilisht)
4. Radio vendore “B-94” ( Tiranë)

Gjithashtu, gjatë këtij viti janë miratuar dhe një numër i konsiderueshëm kërkesash për rinovim licence, 29 subjekte, në mbështetje të ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998 si dhe duke ndjekur dhe zbatuar procedurat e përcaktuara në Rregulloren “Mbi procedurat e rilicencimit të operatorëve radiotelevizivë” dhe kriteret kryesore gjatë rinovimit të licencave.

Mbyllja e impianteve jashtë zonave të licensimt

Një nga arritjet e KKRT-së lidhur me zbatimin e ligjit është mbyllja e impianteve jashtë zonave të licencimit të operatorëve privatë vendorë radio-televizivë, problem që vazhdonte të ekzistonte prej vitesh.
Lidhur me këtë, vlen të kujtojmë dhe theksojmë se KKRT-ja e ka filluar veprimtarinë e saj duke gjetur shumicën e operatorëve aktualë në transmetim. Këta operatorë, kryesisht të përqendruar në Tiranë dhe Ultësirën Perëndimore, përdornin breza frekuencash të okupuara arbitrarisht, disa prej tyre edhe dy deri në tre kanale në të njëjtën zonë mbulimi. Pavarësisht licencimeve që bëri KKRT-ja, shumë operatorë televizivë vazhduan të mbanin të instaluar, impiantet e tyre transmetues dhe operatorët e rinj shtuan transmetues në zona me shtrirje gjeografike më të gjerë se territori maksimal i lejuar nga ligji ekzistues për operatorët vendor.
Zgjerimi i zonës së mbulimit tej zonës së përcaktuar në licencë nga shumë operatorë ka qënë një shqetësim konstant i KKRT-së. Për të kufizuar zgjerimin e paautorizuar të zonës së mbulimit dhe me qëllim që të mos përkeqësohej gjendja e shfrytëzimit të spektrit dhe të uleshin interferencat e dëmshme, KKRT-ja, sidomos gjatë vitit 2007, ka kërkuar nga operatorët respektimin e ligjit. Për këtë qëllim janë ezauruar njoftime, vërejtje, paralajmërime, gjoba, madje edhe bllokime dhe sekuestrime pajisjesh. Ky fenomen është evidentuar qartë, duke paraqitur edhe të dhëna të detajuara mbi mbulimin e realizuar nga çdo operator në përputhje me licencën dhe jashtë kushteve të saj. Në rezolutën e fundit që Parlamenti miratoi në lidhje me veprimtarinë e KKRT-së, pasi u evidentua si mangësi e punës së institucionit "mos ndalimi në kohë i operatorëve të cilët kanë shkelur kushtet e parashikuara në licensat e tyre, lidhur me hapësirat e transmetimeve radio e televizive", u kërkua gjithashtu, në mënyrë eksplicite, ndërhyrja më energjike në drejtim të rritjes së autoritetit të zbatimit të ligjit.
Në muajin prill 2007, KKRT-ja, pasi kishte përfunduar detajimin e Projekt-Planit Kombëtar për Frekuencat Televizive (Analoge dhe Numerike) në letër, programoi inspektime për përdorimin e spektrit të frekuencave në të gjithë Shqipërinë. Në respektim të kompetencave që i jep ligji, KKRT-ja, duke njohur situatën e operatorëve që transmetonin jashtë zonës së tyre të licencimit, përpara nisjes së inspektimeve, paralajmëroi dhe kërkoi edhe njëherë nga të gjithë operatorët që, brenda datës 30.04.2007, të mbyllnin vullnetarisht të gjitha stacionet e instaluara pa leje, pasi në të kundërt do të ndërmerreshin sanksionet e parashikuara në ligj.
Bazuar në urdhrin nr. 464 prot., datë 03.05.2007 të Kryetarit të KKRT-së, filloi inspektimi i operatorë që kishin instaluar impiante jashtë zonës së tyre të licencimit. Urdhri, krahas matjeve të spektrit, parashikonte edhe evidentimin e bllokimin e stacioneve të paautorizuara nga KKRT-ja. Bllokimi i stacioneve të paautorizuara u krye nga grupi i inspektimit të përbërë nga inspektorët e Policisë Tatimore të mbështetur nga inspektorët e KKRT-së në bazë të urdhrave të veçantë për secilën pikë transmetimi që inspektohej.
Programi i parashikuar për matjet dhe bllokimin e pajisjeve ndeshi vështirësi zbatimi për shkak të pengesave dhe problemeve të shkaktuara nga debatet që krijoi mbyllja e stacioneve të pa licencuara. Në shumë raste, operatorët që kishin instaluar stacione jashtë zonave të tyre të licencimit manifestuan mosbindje ndaj ligjit, duke vënë përsëri në punë stacionet e mbyllura ligjërisht nga inspektorët e Policisë Tatimore dhe KKRT-së. Kjo bëri që grupet e inspektimit të rikthehen disa herë në disa pika të caktuara. Lufta ndaj këtij fenomeni të padëshiruar (rivënie në punë e transmetuesve pa leje), shkaktoi pauza relativisht të gjata në punën për matjen e spektrit të frekuencave. Në ndonjë rast, siç ishte rasti i pikës së Taraboshit apo i Kërcullës, përkrah shkelësve të ligjit u rreshtuan edhe autoritete shtetërore apo me imunitet. Ndërhyrja pa kriter e politikës, duke inkurajuar shkelësit e ligjit, solli pengesa të mëdha për vendosjen e autoritetit të ligjit nga ana e KKRT-së.
Pas ezaurimit të afateve të përcaktuara nga ligji, u konstatua që disa nga operatorët, pasi dhunuan vulat e vendosura nga inspektorët e Policisë Tatimore dhe KKRT-së, vazhduan transmetimet e paautorizuara duke mos e vlerësuar seriozitetin dhe vendosmërinë e KKRT për respektimin rigoroz të ligjit.
KKRT-ja,vazhdoi me këmbëngulje punën e filluar, duke i përshkallëzuar masat në përputhje me dispozitat ligjore. Në këtë kuadër, KKRT mori vendimin unanim nr. 631, datë 08.10.2007, për kalimin në fazën e sekuestrimit të impianteve jashtë zonave të licensimit, bazuar në paragrafin e dytë të nenit 137w2 të ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998 të përmendur më sipër.
Në zbatim të këtij vendimi, Policia Tatimore në bashkëpunim të ngushtë me inspektorët e KKRT-së, sekuestroi dhe dorëzoi në depot e rezervës së shtetit pajisjet qe u gjetën pa autorizimin e KKRT-së.
Në arritjen e këtij rezultati, një kontribut të veçantë dhe tejet të rëndësishëm ka patur Drejtoria e Pērgjithshme e Tatimeve, si organi kompetent për zbatimin e urdhrave dhe vendimeve të KKRT-së, e cila ka treguar një vlerësim maksimal për të gjithë urdhrat dhe vendimet e nxjerra nga KKRT-ja. Për zbatimin e këtyre urdhrave dhe vendimeve, ky institucion ka angazhuar forcat e Policisë Tatimore dhe në çdo moment ka shprehur gadishmërinë për të vepruar dhe me forcē mbēshtetëse me grupe punonjësish.
Në përfundim, duke parë edhe rezultatin e punës, që nuk ka më impiante jashtë zonave të licensimit, vendimi nr. 631, datë 08.10.2007 i KKRT-së, pati një rezultat të kënaqshëm që u konkretizua në krijimin e hapësirave të lira në spektrin e frekuencave televizive të cilat do të përdoren për përmirësimin e mbulimeve të operatorëve kombëtarë e lokalë dhe për rregullimin e hapësirave të nevojshme për licensimet e platformave të para numerike.

Respektimi i të drejtave të transmetimit dhe të autorit

Lufta kundër piraterisë radio-televizive, duke respektuar të drejtat e transmetimit dhe së bashku me të edhe të drejtat e autorit, kanë qenë objektiva të rëndësishëm të punës KKRT-së edhe gjatë vitit 2007. Pranë KKRT-së, në zbatim të ligjit nr. 9380, datë 28.04.2005, ka filluar të funksionojë si strukturë më vete sektori juridik i të drejtave të transmetimit, sektor që krijoi vizion të ri, për mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe minimizimin e fenomenit të “piraterisë radiotelevizive”.
KKRT-ja, ka kontrolluar funksionimin ligjor të subjekteve radiotelevizivë shqiptarë, duke verifikuar dokumentacionin që ka të bëjë me të drejtën e transmetimit të programeve të ndryshme radiotelevizive, si filmave shqiptarë e të huaj, evenimenteve artistike, sportive, filmave dokumentarë, telenovelave, programeve informative nga bota, të cilat transmetohen në territorin shqiptar. Numri i kontratave që vërtetojnë blerjen e të drejtave të transmetimit nga operatorët rtv. është rritur në krahasim me një vit më parë. Gjatë këtij viti është pasuruar “database”, në të cilin hidhen të gjithë elementët e kontratave të operatorëve radiotelevizivë me distributorë të ndryshëm, duke bërë kështu të mundur verifikimin dhe kontrollin në vazhdimësi të legjitimitetit të tyre.
Gjithashtu, KKRT-ja ka kërkuar edhe nga subjektet radiofonikë, akt-marrëveshje ose kontrata për shfrytëzimin nga ana e tyre të krijimtarisë muzikore. Pavarësisht nga problemet, një pjesë e mirë e këtyre subjekteve, kanë depozituar në KKRT, dokumentacionin që vërteton të drejtat e transmetimit.
Një drejtim tjetër i punës së KKRT-së për respektimin e të drejtave të transmetimit ka qenë bashkëpunimi me institucione dhe struktura të tjera shtetërore për ndjekjen dhe zbatimin e detyrimeve ligjore që rrjedhin nga ligji nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”. Gjatë vitit 2007, KKRT-ja ka institucionalizuar bashkëpunimin me Zyrën Shqiptare për të Drejtat e Autorit, nëpërmjet nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi e mirëkuptimi. Qëllimi i këtij Memorandumi bashkëpunimi është përcaktimi i modaliteteve, instrumenteve dhe mënyrave të bashkëpunimit për implementimin dhe përmirësimin sa më të përshpejtuar, të ligjit nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, për të vendosur nën kontroll të gjithë tregun e pronësisë të produktit intelektual në fushën e artit, kulturës dhe shkencës, dhe transmetimeve radiotelevizive.
Gjithashtu, në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, është në vazhdimësi bashkëpunimi konkret për parandalimin e piraterisë në transmetimin e filmave artistik shqiptar.
KKRT-ja, me punën e saj gjatë vitit 2007, ka arritur të shmangë në një masë të madhe fenomenin e piraterisë tek operatorët radiotelevizivë, dhe pothuajse të eliminojë transmetimet e paligjshme nga operatorët televizivë kombëtarë dhe ata kryesorë vendorë. Duke luftuar piraterinë, mbrohen në mënyrë indirekte edhe autorët vendas dhe të huaj.

Çështje gjyqësore

Ashtu si vitet e kaluara dhe gjatë vitit 2007, KKRT ka qenë palë e paditur në procese gjyqësore për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme, ku pjesën më të madhe e zënë konfliktet me operatorë të ndryshëm radiotelevizivë. Një pjesë e këtyre çështjeve janë të trashëguara nga vitet paraardhëse, por si pasojë e zvarritjeve të gjata dhe të pajustifikuara nga ana e gjykatave, ka ndodhur që gjykimi i tyre të vazhdojë dhe gjatë vitit 2007.
Aktualisht, KKRT-ja është e përfshirë në total në 27 procese gjyqësore, nga të cilat 23 janë akoma në proces gjykimi nga gjykatat e rretheve ose nga ato të apelit, ndërsa 4 janë çështje të përfunduara (1 është mbyllur në favor të KKRT-së, për 3 çështje është vendosur pushimi i gjykimit).
Në përgjithësi, objekti i këtyre çështjeve gjyqësore konsiston në kundërshtimin e akteve administrative, vendimeve të KKRT-së si psh. për mos rinovim licence, pavlefshmëri licence, anulim gjobe, etj.
Megjithatë, nëse do analizonim ekzistencën e kaq shumë proceseve gjyqësore duhet ta shohim nga dy këndvështrime të ndryshme. Së pari, nëse vendimet e KKRT-së janë të bazuara ligjërisht dhe së dyti, pasojat e kohëzgjatjes së këtyre proceseve.
Lidhur me bazueshmërinë e vendimeve të KKRT-së, ligjërisht janë gjykatat ato që e përcaktojnë këtë rast pas rasti (duke pranuar këtu edhe faktorë subjektivë që mund të ndikojnë në marrjen e një vendimi). Gjatë këtij viti, shumica e gjykimeve janë ende në proces dhe nuk mund të nxirret një konkluzion nga bilanci i çështjeve të humbura apo të fituara.
Ndërsa, për sa i përket pasojave që sjell zgjatja 2-3 vjeçare e gjykimit të çështjeve ato po bëhen gjithmonë e më shumë problematike për KKRT-në. E drejta e operatorëve për t’i kundërshtuar vendimet e KKRT-së në gjykatë është në parim një e drejtë e pamohueshme, por zvarritja e proceseve bën që operatorët, në rastet e heqjes apo mos rinovimit të licencave, të vazhdojnë aktivitetin e tyre duke mos njohur më autoritetin e KKRT-së. Me justifikimin që janë në një proces gjyqësor ata nuk respektojnë më kërkesat e ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998, transmetojnë programe të piratuara duke shkelur të drejtat e transmetimit dhe të gjitha rregullat e konkurrencës së ndershme. Në disa raste, as Policia Tatimore nuk ka vënë në zbatim ekzekutimin e urdhrave të KKRT-së për bllokimin e aktivitetit të operatorëve që kanë mbetur pa licencë, pikërisht prej vazhdimësisë së gjykimeve. Ky është një problem, që shpresojmë të gjejë zgjidhje në ligjin e ri që po hartohet.

PROGRAMACIONI

Gjatë vitit 2007, KKRT-ja ka pasur në qendër të vëmendjes respektimin e parimeve themelore të ushtrimit e të zhvillimit të veprimtarisë radio televizive në fushën programore. Në stadin e tanishëm të kësaj veprimtarie nuk shtrohet më çështja e njohjes dhe e zbatimit formal të këtyre parimeve, por sendërtimi i tyre në të gjithë përmbajtjen e programacionit të medias sonë elektronike, duke synuar një cilësi gjithnjë e më të lartë. Këtij qëllimi i ka shërbyer hartimi i një strategjie të re në njohjen e vlerësimin e politikave programore të operatorëve radiotelevizivë, sidomos atyre kombëtarë, strukturimi i ri i departamentit të programeve në KKRT, ngritja dhe bashkëpunimi i sektorëve të ndryshëm që konvergojnë në monitorimin dhe komunikimin e vazhdueshëm me operatorët radiotelevizivë si dhe sensibilizimi i opinionit publik.
Në strategjinë e re të KKRT-së në fushën e programacionit ka zënë vend hartimi e zbatimi i praktikave që ndihmojnë operatorët radiotelevizivë të jenë vetë ata të interesuar për respektimin e parimeve themelore të komunikimit audio-vizual, të konkurrencës së ndershme, të transparencës në financimin e programeve, respektimin e etikës televizive e standardeve gjuhësore etj. Këtij qëllimi i kanë shërbyer njohja dhe publikimi i përvojës evropiane në këtë fushë, ngritja e funksionimi i Këshillit të Etikës pranë KKRT-së, hartimi i rregulloreve të ndryshme, transparenca e vendimeve të KKRT-së dhe marrëdhëniet e drejtpërdrejta me operatorët radiotelevizivë, institucionalizimi i komunikimeve me shtypin e shkruar etj.
Duke e përjashtuar censurën dhe cenimin e pavarësisë editoriale, KKRT-ja, përmes mjeteve që i lejon ligji, është përpjekur të ndikojë pozitivisht në ruajtjen e raportit delikat midis të drejtës për informim dhe privatësisë së individit. Nga monitorimi i edicioneve informative të disa operatorëve televizivë rezulton se ka raste kur nuk zbatohen kërkesat e ligjit 8410, dt. 30. 09. 1998, i ndryshuar, neni 36 dhe neni 38, që sanksionojnë respektimin e dinjitetit vetjak, të drejtave themelore të njeriut dhe ndalimin e informacioneve që cenojnë jetën private të shtetasve.
Në mjedisin programor të medias elektronike vihet re kontradikta midis domosdoshmërisë së programeve televizive formuese edukative dhe nevojës për programe komerciale, midis përmbajtjes cilësore të programeve, respektimit të kodeve morale dhe etike, jo gjithnjë të shprehura në ligj, dhe nëpërkëmbjes së tyre, që cenojnë drejtpërdrejt, ose tërthorazi dinjitetin e shikuesve.
Gjatë vitit të kaluar është vënë re konsolidimi i programeve që kanë pasur një audiencë relativisht të lartë si debatet politike, edicionet informative, varietetë televizive humoristike dhe, sidomos, programet muzikore që kanë në thelb elementin konkurues.
Për sa më sipër, në programet e aktualitetit do të përmendnim: “Opinion” në Tv “Klan”; “Top Story”, “Top Shoë” dhe “Shqip” në “Top Channel”; “5 pyetjet nga Babaramo” në “News 24”, “Studio e Hapur” dhe “Kontrast” në “Alsat”; “Bardh e zi” në TVA; “Zip” në “Vizion +”; “Sfida & strategji” dhe “7x7” në TVSH; “60 minuta” në TV “Koha”, por edhe edicionet informative të televizioneve të lartpërmendura, duke shtuar edhe operatorët televizivë, që janë të licensuar posaçërisht për të transmetuar programe informative si “Alsat”,“News 24”, “Ora News”, “Nesër Tv” e ndonjë tjetër, të cilët kanë ndikuar në informimin e publikut dhe formimin e opinioneve si edhe në krijimin e standarteve editoriale me kritere profesionale bashkëkohore. Është për t’u theksuar fakti që, në operatorin publik, u transmetuan debate politike, te cilat një vit më parë ishin pronë e televizioneve private komerciale. Kjo dukuri u vu re edhe gjatë fushatës për zgjedhjet vendore 2007.
Po ashtu, në programacionin e operatorëve televizivë, ka zënë një vend gjithnjë e më të madh transmetimi i programeve të huaja të blera, filmave, dokumentarëve dhe sidomos i programeve sportive e telenovelave. Në këtë fushë tashmë zbatohen, thuajse plotësisht, kërkesat e ligjit për respektimin e kontratave si dhe raporti gjuhë e huaj – subtitrim, ose dublim në gjuhën shqipe. Tashmë është tejkaluar fenomeni i transmetimit të ekranizimeve të ndryshme pa përkthim e titrim, apo pa dublim në gjuhën shqipe, pavarësisht nga cilësia e përkthimit apo përdorimit të normës letrare të gjuhës shqipe.
Me përjashtime të vogla, tek të gjithë operatorët televizivë vihen re shkelje të standarteve gjuhësore që kanë për pasojë deformimin dhe dëmtimin e gjuhës amtare. KKRT-ja ka tërhequr vëmendjen për këtë problem të rëndësishëm dhe synon që në të ardhmen ta ketë një nga synimet parësore të veprimtarisë së vet. Këto shkelje të normës gjuhësore për drejtshkrimin e drejtshqiptimin e gjuhës shqipe janë më të dukshme në edicionet informative dhe në përkthimin, dublimin ose subtitrimin e filmave dhe telenovelave si dhe në programe të tjera të llojeve të ndryshme, veçanërisht në emisionet për fëmijë e të rinj. Përveç shkeljeve të mësipërme konstatohet një përdorim i shumtë e i panevojshëm i fjalëve të huaja, ndërtime sintaksore e gramatikore që prekin strukturën thelbësore të gjuhës shqipe, duke e shtrembëruar dhe deformuar natyrën dhe misionin e saj e duke vështirësuar komunikimin me shikuesit.
Nga rreziku i rendjes drejt programeve komerciale nuk kanë shpëtuar as televizionet kombëtare. Pasojë e kësaj tendence është varfëria dhe mungesa e përmbajtjes dhe sidomos e cilësisë në programet për fëmijë e të rinj. Këto programe nuk janë ngritur as në nivelin e teleshikuesve të cilëve u drejtohen, e në mjaft raste nuk respektojnë të drejtat e të miturve dhe adoleshentëve, nuk kanë strukturë e përmbajtje të konsoliduar, keqpërdorin gjuhën, shijet e veçoritë e moshës, duke ndikuar jo pak në edukimin e formimin e tyre.
KKRT-ja vëren se shkalla e fuqizimit të disa mediave elektronike është e tillë, saqë nuk mund ta nënvleftësojë më dhe ta lërë pas dore një fushë kaq të rëndësishme të programacionit si emisionet për fëmijë e të rinj. Tashmë kjo gjë është jo vetëm domosdoshmëri e plotësimit sasior e cilësor të strukturës programore, për të cilën operatorët radiotelevizivë janë licencuar, por edhe detyrim qytetar e kombëtar, problem me të cilin KKRT-ja do të merret seriozisht në të ardhmen.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për emisionet e mirëfillta kulturore (libri, teatri, filmi, piktura...) apo arsimore, shëndetësore e edukative (shkolla dhe problemet e saj), të cilat janë thuajse të përjashtuara nga programacioni i shumicës së operatorëve radiotelevizivë.


Programet informative

Edhe gjatë vitit 2007, operatorët radiotelevizivë kanë pasur si pikësynim që programet informative të jenë pjesa më e rëndësishme e strukturës programore. Duhet theksuar fakti se po ndihet një përmirësim jo i vogël i pavarësisë editoriale në krahasim me një vit më parë, megjithëse ende zbatohet një qëndrim editorial që është në favor të interesave të pronarëve të radiove dhe televizioneve private. Mungojnë kronika apo programe të posaçme të gazetarisë investigative, apo më saktë ato janë pronë e shumë pak operatorëve, tashmë me audiencë të siguruar.
Edicionet informative të operatorëve kryesorë privatë kombëtarë dhe vendorë si “Klan”, “Top Channel”, “Alsat”, TVA, “Vizion +”, “Koha”, “News 24”, “Nesër Tv”, “Top Albania Radio”, radio “Club FM”, radio “Alfa dhe Omega”, radio “Euro Star”, radio “Sport” janë nga më të ndjekurat në zonat e tyre të licensimit. Nga operatorët radio-televizivë lokalë nëpër rrethe do të veçonim televizione si, “Kombi” dhe “Apollon” në Fier, tv. “4+” në qytetin e Lushnjës; “Alpo” dhe “Channel 7”- Gjirokastër; “Amantia” – Vlorë; “Magic Star” në Korçë; tv “2A” në Kavajë; tv “Rozafa” në Shkodër; tv. “Kukësi”; tv “Egnatia” në Elbasan; “Lobi” dhe ARV në Pogradec; “Tele JONI” në Sarandë; radio “Star” në Fier; radio “Saranda”, radio “Valë e Kaltër” në Vlorë; radio “Alfa” në Elbasan etj, etj.
Radiot dhe televizionet vendore vazhdojnë të informojnë dëgjuesit dhe shikuesit si nëpërmjet edicioneve të lajmeve, ashtu edhe me programe kulturore, edukative. Duke përjashtuar operatorët tematikë, radiot edhe televizionet vendore janë të detyruara sipas ligjit, që të paktën 15% e programeve javore të përmbajnë informacion dhe programe që lidhen me realitetin lokal, detyrim që në përgjithësi realizohet nga operatorët televizivë, por anashkalohet nga ata radiofonikë.
Krahas edicioneve të lajmeve, programet e tjera informative dhe të aktualitetit të përgatitura dhe transmetuara nga operatorët radiotelevizivë kombëtarë, plotësojnë fizionominë e operatorëve profesionalisht të formuar dhe me audiencë të konsiderueshme. Tematika e larmishme, debatet politike dhe sociale për çështje me rëndësi për publikun e gjerë, mënyra e përfshirjes së publikut në debat, janë veçantitë që karakterizojnë programet e aktualitetit si “Opinion”, “Shqip”, “Top Story”, të cilat e konkurojnë pozitivisht e denjësisht me njëri-tjetrin.
Në mbështetje të ligjit “Për radion dhe televizionin publik dhe privat në Republikën e Shqipërisë”, KKRT-ja është e detyruar të monitorojë të gjitha programet informative të transmetuara nga operatorët radiotelevizivë kombëtarë. Në raste të veçanta, KKRT-ja monitoron edhe programet informative të transmetuara nga operatorët radiotelevizivë vendorë. Për sa më sipër, parashikohet si rregull, pasqyrimi i fushatave zgjedhore nga operatorët radiotelevizivë. Gjatë vitit 2007, e saktësisht në muajin shtator, KKRT-ja miratoi propozimin për të monitoruar edhe programet informative të televizioneve vendorë “Top Channel” dhe “Vizion+”, duke i konsideruar si operatorë me ndikim të konsiderueshëm në formimin e opinioneve te publiku i gjerë, me audiencë në tregun mediatik dhe konkurentë potencialë për t’u pajisur me licensë kombëtare, proces për të cilin KKRT-ja kishte filluar përgatitjen e procedurave për shpalljen e garës.
Raportet e monitorimit paraqesin të dhëna kuantitative, në monitorimet e pasqyrimit te aktiviteteve ndaj kahjeve të politikës, pra pozitës dhe opozitës. Aty përfshihen të dhëna statistikore mbi kohën e vënë në dispozicion nga operatorët radiotelevizivë në edicionet kryesore të lajmeve, për veprimtaritë e partive politike, për veprimtarinë e organeve të qeverisë dhe parlamentit, të aktorëve të ndryshëm të politikës dhe organeve të pushtetit. Në raportet mujore të monitorimit jepen gjithashtu të dhëna mbi paraqitjen “sinkron” të personaliteteve politike dhe shtetërore në radio dhe televizion.

Etika në media

Një detyrë e rëndësishme e KKRT-së e përcaktuar në ligjin “Për radion dhe televizionin publik dhe privat në Republikën e Shqipërisë”, mbetet monitorimi i respektimit nga media elektronike, i normave etiko-morale në transmetimet e programeve radiotelevizive.
Këshilli i Etikës, i ngritur kohët e fundit në KKRT, e që zëvendësoi Këshillin e Ankesave, ka filluar të trajtojë me seriozitet problemet e shfaqjes pa kriter të dhunës në ekran, pamjeve të theksuara erotike, dukurive të diskriminimit të personalitetit dhe cenimit të privatësisë, mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve nga “rreziku mediatik”, abuzimit me gjuhën e folur dhe përdorimin e një fjalori vulgar në disa prej programeve televizive të transmetuara.
Një nga nismat aktuale të Këshillit të Etikës është hartimi nga çdo operator radioje ose televizioni i një kodi etik në përputhje me standartet e pranuara sot gjerësisht e që është një marrëveshje me publikun për normat etiko-morale që çdo subjekt radioteleviziv synon të arrijë. Në të ardhmen presupozohet që këto kode të secilit operator, me trajnimin dhe koordinimin e Këshillit të Etikës, të unifikohen në një kod të përbashkët, i cili të jetë një akt i brendshëm dhe normativ i pranuar nga të gjithë operatorët, për respektimin e kërkesave ligjore, të normave etike dhe morale të komunikimit përmes ekranit.

Radiotelevizioni Publik shqiptar

Radio dhe televizioni shqiptar është institucioni që kryen shërbimin publik në fushën e transmetimeve. Ligji dhe statusi i RTSH i krijojnë hapësira për ndryshime në strukturën programore dhe cilësinë e programeve, që ato t’i shërbejnë me të vërtetë publikut të gjerë.
Gjatë vitit 2007, në përpjekje për të përballuar konkurencën e ashpër me transmetuesit privatë, TVSH-ja hoqi dorë nga ritransmetimet në masë të programeve arkivore. Struktura programore pësoi përmirësime të ndjeshme. Krahasuar me një vit më parë, struktura aktuale e programeve të TVSH-së ka ndryshuar në këto drejtime. U katërfishua prodhimi i programeve të reja të transmetuara në ekran. Rreth 68% e emisioneve janë të prodhuara vetë nga TVSH ose bashkëprodhime, në një kohë kur në fund të vitit 2006, kjo shifër nuk e kalonte 20%.
Ndryshe është paraqitur edhe Radio Tirana gjatë vitit 2007 në fushën programore. Vërehet rikthimi i disa gjinive radiofonike në valët e programit të parë dhe gradualisht kjo gjë është arritur edhe te programi i dytë dhe i tretë i Radios publike. Në fillim të vitit 2007 filloi transmetimi i shumë emisioneve me pikësynimin për të krijuar një imazh të ri të programeve radiofonike.
Media elektronike po bëhet gjithnjë e më shumë e larmishme, konkuruese dhe audienca po bëhet gjithnjë e më e fragmentarizuar. Në biznesin konkurues të medias elektronike ekziston nevoja për të tërhequr audiencë sa më të madhe.
Zhvillimi i saj është shoqëruar me ndryshime të ndjeshme të tregut të reklamave, që është burimi jetësor për ekzistencën e vetë operatorëve radiotelevizivë.
Studimi i këtij tregu dhe vlerësimi i besueshmërisë së informacionit të përcjellë tek publiku, sjellin domosdoshmërinë e studimit të audiencës së medias elektronike. Tashmë është kaluar koha kur televizioni publik zotëronte pozitën dominuese që kishte më parë dhe në të shumtën e rasteve vendin e tyre e kanë zënë transmetuesit komercialë privatë, duke përfshirë edhe ata satelitorë apo kabllorë dhe që kanë një audiencë të përcaktuar.
Studimi i kësaj audience mund të jetë detyrë e rëndësishme e KKRT-së në të ardhmen por që kërkon fonde të caktuara dhe personel shtesë, të cilat për momentin i mungojnë institucionit rregullator të medias elektronike. Në shumë vende të tjera studimi i audiencës realizohet nga institute të pavarura apo OJQ.


ÇËSHTJE TEKNIKE

Gjatë vitit 2007, prioriteti kryesor i KKRT-së ka qënë puna intensive për përfundimin e Planit të Frekuencave, me qellim hapjen e rrugës për fillimin e licencimit të transmetimeve numerike. Siç është raportuar më parë, fazat e punës përgatitore dhe hartimi i projekt planit të koordinuar me vendet e tjera të rajonit brenda distancës së koordinimit prej 1000 km, që kanë të bëjnë me probleme teknike të planifikimit, janë zbatuar nga KKRT-ja për një periudhë 3 vjecare (Para, gjatë dhe pas GE06) në bashkëpunim të ngushtë me vendet e rajonit të planifikimit dhe nën udhëheqjen teknike të drejtpërdrejtë nga ITU (BR-Byroja e Radiokomunikacioneve). Kjo fazë i përket kryesisht hartimit të Planit Numerik bazuar në parametat dhe karakteristikat e miratuara nga dokumentet e RRC04 dhe RRC06 si dhe koordinimit të tij me vendet fqinjë. Me fiksimin e planeve (Analog dhe Numerik) pas 16 Qershorit 2006, u krye azhornimi me gjëndjen ekzistuese të Shqiperisë dhe u përgatit Projekt Plani. Për këto faza të zhvillimit të planit të frekuencave është raportuar me hollësi në Raportin “Përshkrimi i veprimtarisë së grupit përfaqësues të KKRT-së në sesionin II të Konferencës Rajonale të Radiokomunikacioneve (RRC-06)”, paraqitur nga KKRT-ja edhe në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë.

Matjet në terren

Pas përfundimit të detajimit të planit në letër, KKRT-ja organizoi punën për realizimin e matjeve në terren ku u përcaktua plani përkatës i matjeve të shfrytëzimit të spektrit. Por, siç u trajtua më lart, programi i parashikuar për përfundimin e matjeve hasi vështirësi zbatimi për shkak të pengesave dhe problemeve të shkaktuara nga debatet që ka krijuar mbyllja e stacioneve të palicencuara
Mungesat e gjata të energjisë elektrike në zona të ndryshme, krijuan një problem serioz shtesë për realizimin e matjeve dhe zbatimin në kohë të grafikut të përcaktuar.
KKRT-JA ishte e bindur se pa u fiksuar gjëndja, pa u përcaktuar stacionet që do të jenë në punë dhe pa u përcaktuar me saktësi kanalet e lira e të pa interferuara nga stacionet vendas dhe të huaj, ishte e pamundur të përcaktohet plani si dhe strategjia për përmbushjen e tij. Nëse nuk ka siguri në mbajtjen e një regjimi të caktuar në administrimin e spektrit, nuk mund të pretendohet të hartohet një grafik i saktë i krijimit të hapësirave për transmetimet numerike, që përbën bazën e planit të Migrimit. Siç u përmend më sipër, me disiplinimin dhe vënien nën kontroll të transmetimeve, është krijuar siguria që kërkon licencimi i shërbimeve të reja numerike.
Pas përcaktimit të frekuencave të lira (Numerike e Analoge) KKRT-JA është duke kryer llogaritjet radio elektrike për të përcaktuar parametrat optimale të të gjitha stacionet e planifikuara të instalohen në të gjitha pikat e transmetimit me qëllim që të sigurohen transmetime cilësore brenda standardeve teknike dhe të garantohet që stacionet transmetuese të planifikuara të mos shkaktojnë interferencë tek stacionet e tjerë ekzistues, vendas apo të huaj duke qënë të mbrojtur nga interferencat shkaktuar nga stacionet vendase apo të huaja. Këto llogaritje janë të komplikuara dhe kërkojnë kohë pasi parashikohet të kryhen disa seri llogaritjesh me parametra te korrektuar perderisa te arrihen parametrat optimale.
Ratifikimi nga parlamenti i marrëveshjes së Gjenevës 2006 (GE06) ”Mbi planifikimin e shërbimeve të transmetimeve numerike tokësore në pjesë të Rajoneve 1 dhe 3 në brezat e frekuencave 174-230 MHz dhe 470-862 MHz” dhe marrëveshjes ”Mbi revizionimin e marrëveshjes së Stokholmit 1961 (GE06-Rev.ST61) ka stabilizuar një bazë të shëndoshë juridike për hapjen e rrugës për implementimin e planit numerik shqiptar në koordinim të plotë me vendet fqinje.
KKRT-ja tashmë disponon një plan të allotmenteve numerikë, të miratuar nga marrëveshja GE06. Aktualisht po punohet për konvertimin e allotmenteve në caktime frekuencore dhe regjistrimin e tyre në Plan, sipas një programi të koordinuar me Byronë e Radiokomunikacioneve.
Me përfundimin e Strategjisë së kalimit në sistemin numerik dhe përfundimin e ligjit integral të transmetimeve radio-televizive në Shqipëri, krijohen plotësisht kushtet për licencimin e rrjeteve numerike.
Venia në shfrytëzim e Caktimeve numerike që do t’u jepen operatorëve që do të fitojnë garën, do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me vendet fqinje.

Dividendi numerik

Duhet theksuar se marrëveshja GE06 përcakton vetëm planin e frekuencave numerike deri në fund të periudhës së tranzicionit që për vendet e Europës (edhe sipas ligjit “Për transmetimet numerike në Republikën e Shqipërisë”). Këshilli i Europës po punon për planifikimin e shfrytëzimit të avantazheve që krijon lirimi i spektrit nga transmetimet analoge (i quajtur dividendi numerik)
Sipas informacioneve paraprake, në brezin UHF propozohet të krijohen tre nënbanda për 3 lloj shërbimesh të ndryshme, duke lënë për transmetimet televizive ekzistuese vetëm 1 nënbandë. Kjo do të kërkojë nga KKRT-ja përgatitjen e një plani të ri Migrimi për transferimin e të gjitha transmetimeve ekzistuese në nënbandën e caktuar.
Nga ana Komisionit Europian tashmë janë njoftuar hapat e parashikuara për të arritur në miratimin e nënndarjeve të spektrit të UHF për shfrytëzimin e harmonizuar të dividendit numerik në shkallë paneuropiane. Këto hapa janë:

Prill 08: Mandat i ri teknik për CEPT
Maj 08: Fillimi i Studimit të Vlerësimit të Impaktit (konsultime socio-
ekonomike, legale, teknike)
Qershor 08: Konkluzionet e Këshillit
Mesi i 08 : Pozicioni i Parlamentit Europian
Fundi 08: Propozim i detajuar i Komisionit për mënyrën rregullatore.

Duke u nisur nga arritjet e vendeve të tjera jashtë Europës (USA dhe Japonia) si dhe nga intensiteti i parashikuar nga Komisioni Europian i masave për arritjen e një përdorimi të harmonizuar paneuropian të dividendit numeric, edhe Shqipëria duhet të marrë masa për koordinimin e strategjisë së saj së zhvillimit të transmetimeve radio e televizive (dhe jo vetëm atë), me përpjekjet e vendeve të tjera për të arritur një rezultat optimal social-kulturor dhe ekonomik të këtij dividendi.
Bashkimi me përpjekjet europiane për optimizimin e përdorimit të spektrit do të kërkojë edhe harmonizimin e Planit shqiptar të Frekuencave me Planin e harmonizuar që do të prodhohet pas përfundimit të hapave të përshkruar më sipër. Duke qenë se në brezin UHF janë përcaktuar tre nënbanda për 3 lloj shërbimesh të ndryshme, do të kërkohet që plani i frekuencave i miratuar në GE06 të modifikohet duke parashikuar transferimin e disa frekuencave në nënbandat e caktuara për transmetime rtv. (analoge e numerike deri në 2012 dhe vetëm numerike pas 2012).


Miratimi i Strategjisë së Zhvillimit të Transmetimeve Televizive.

Për të siguruar një zhvillim gradual, të balancuar e të harmonizuar të transmetimeve televizive në vend, KKRT-ja ka programuar me kohë përgatitjen e Strategjisë së Zhvillimit të transmetimeve RTV., në bashkëpunim me organizma të tjera shtetërore, organizma ndërkombëtare të specializuara dhe shoqatat e operatorëve.
Në kuadrin e përpilimit të Strategjisë, KKRT-ja ka nënshkruar me Zyrën e Pranisë së OSBE në Tiranë një Memorandum Bashkëpunimi
Në zbatim të këtij Memorandumi, pranë KKRT-së është atashuar një ekspert francez, i cili është duke asistuar KKRT-në në hartimin e një strategjie në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në problemet që mund të lindin nga kalimi nga sistemi analog në atë numerik.
Në mënyrë të përmbledhur, problemet kryesore që do të trajtojë strategjia e kalimit në transmetimet numerike, që kërkojnë edhe konsultim publik, janë:
1. Mundësitë e shfrytëzimit të kapaciteteve teknike të transmetimeve televizive numerike tokësore në Shqipëri;
2. Pjesa e spektrit që duhet të rezervohet për transmetimet televizive kombëtare vendore e rajonale;
3. Prioritetet e ndërtimit të rrjeteve numerike (publike, private) dhe planifikimi i rendit të mbulimit të zonave gjeografike;
4. Masat nxitëse për kalimin në numerik;
5. Indikatorët që do të përcaktojnë mbylljen e transmetimeve analoge;
6. Masat për mbrojtjen e konsumatorëve;
7. Masat për përballimin e kostove të rishpërndarjes së frekuencave ;
8. Standardizimi i pajisjeve dhe programeve të aksesit të kushtëzuar;
9. Organizimi e bashkërendimi i palëve të interesuara për kalimin në numerik;
10. Përfshirja e operatorëve ekzistues në procesin e kalimit në numerik, etj.

MARRËDHËNIET ME JASHTË

Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë forcimin e bashkëpunimit me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, si në nivel dypalësh ashtu dhe shumëpalësh. Për këtë arsye, në strukturën e re, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë (nëntor 2006), u parashikua dhe formalizimi i strukturës përkatëse me synim forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në fushën e medias, hartimin e projekteve të ndryshme në këtë fushë dhe paraqitjen e tyre pranë institucioneve apo donatorëve të mundshëm ndërkombëtarë.
Që nga krijimi i kësaj strukture e deri më sot, vërehet një intensifikim i vazhdueshëm i këtyre marrëdhënieve, gjë që është konkretizuar dhe me nënshkrimin e marrëveshjeve përkatëse të bashkëpunimit ose që janë në proces nënshkrimi, në lidhje me aspekte të caktuara të fushës audio-vizuale. Më konkretisht:
Është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit me Zyrën e OSBE-së në Tiranë (shtator 2007), që konsiston në mbështetjen e ofruar nga OSBE-ja në nivel ekspertize për hartimin e Strategjisë në fushën e Mediave Elektronike. Aktualisht, për hartimin e kësaj Strategjie në përputhje dhe me Memorandumin e nënshkruar, është atashuar pranë KKRT-së një ekspert nga Autoriteti Audio-Vizual Francez, i përzgjedhur nga Zyra e OSBE-së.
Është duke u punuar për hartimin dhe nënshkrimin e një Protokolli Bashkëpunimi me AGICOM-in (L'autorità per le Garanzie delle Comunicazioni), i cili do të bëjë të mundur ofrimin e një mbështetjeje të plotë teknike në shumë aspekte të fushës së medias, çka do të jetë një ndihmesë e madhe për përqasjen me standardet e kerkuara ndërkombëtare.
Nisur nga nevoja dhe kërkesa për forcimin e bashkëpunimit edhe me vende të tjera, janë vendosur tashmë urat e bashkëpunimit edhe me Autoritetin Audio-Vizual Francez (CSA – Conseil Supérieur de l’Audiovisuel) dhe është propozuar arritja një marrëveshjeje binjakëzimi, nisur nga përvoja e gjerë franceze në këtë drejtim.
Përfshirja e drejtpërdrejtë si dhe ndihmesa e strukturave ndërkombëtare, si e Komisionit Evropian apo Këshillit të Evropës, si në hartimin e ligjit “Për transmetimet numerike”, ashtu dhe në reformën e plotë ligjore që është duke u realizuar, janë pjesë e forcimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi ndërkombëtar, që merr një vlerë të veçantë meqë këto struktura janë vlerësuesit e standardeve që duhet të realizohen në këtë fushë, në përputhje me angazhimet e marra në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian dhe me gjerë.
Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit, nisur nga fakti i të qenit anëtar me të drejta të plota në disa prej organizmave ndërkombëtare në fushën e politikave audio-vizuale, ka vlerësuar gjithmonë nevojën e pjesëmarrjes aktive në të gjitha veprimtaritë e organizuara prej tyre, me qëllim shkëmbimin e përvojës me vendet e tjera anëtare si dhe përfitimin nga mundësitë që rrjedhin nga anëtarësimi në këto organizata.
I rëndësishëm në këtë drejtim ishte edhe ratifikimi nga Kuvendi i Shqipërisë (dhjetor 2007) i ligjit “Mbi ratifikimin e Akteve Finale të Konferencës Rajonale të Radio-Komunikacionit për planifikimin e shërbimit të transmetimit numerik tokësor në pjesët e rajoneve 1 dhe 3, në bandat e frekuencave 174-230MHz dhe 470-862 MHz (RRC-06)”, dhe “Mbi ratifikimin e Akteve Finale të Konferencës Rajonale të Radio-Komunikacionit për rishikimin e Marrëveshjes së Stokholmit“ (1961). Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit, gjatë këtij viti raportues, ka marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë e zhvilluara nga organizmat ndërkombëtare në këtë fushë, të tilla si EPRA, ITU, Rrjeti i Vendeve Mesdhetare (RIRM) etj, duke qenë aktiv për shfrytëzimin e këtyre takimeve ndërkombëtare në funksion të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe njohjes së përvojave më të mira në këtë fushën e medias.
Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit ka vazhduar thellimin e bashkëpunimit edhe me organizma të tjerë evropianë dhe ndërkombëtarë si Autoriteti Audiovizual Evropian, EBU dhe “Motion Pictures Association”.
Duke qenë të vetëdijshëm për nevojën e mbështetjes që ka ky institucion për realizimin e projekteve të ndryshme që synojnë forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e funksionimit të tij, në kuadër të asistencës komunitare IPA (Instrumenti financiar i para-aderimit) që do të ofrohet në vitet në vazhdim për mbështetjen e procesit të integrimit në Shqipëri, KKRT-ja ka përgatitur një projekt-fishë, që arrin një vlerë prej rreth 1.3 milionë eurosh e që përqendrohet në 4 (katër) shtylla kryesore: - krijimi i një studioje monitorimi “on-line”, për të monitoruar të gjithë territorin e Shqipërisë; - zbatimi i planit të frekuencave; - harmonizimi me standartet evropiane i legjislacionit shqiptar në fushën e medias; - forcimi i kapaciteteve administrative të institucionit.
Duke qenë se realizmi i këtij projekti është i pamundur financiarisht me burimet e brendshme, atëherë u pa e nevojshme mundësia e financimit të tij nga programi IPA. Fakti se deri me sot, KKRT-ja nuk ka pёrfituar asnjë fond nga projektet komunitare si dhe duke vlerësuar rëndësinë që ka kjo fushë për Shqipërinë dhe vetë Bashkimin Evropian, si pjesë e kritereve politike për anëtarësim, jemi të bindur se ky projekt do të trajtohet me vëmendjen më të madhe nga shërbimet e Komisionit Evropian.

Treguesit e të ardhurave dhe shpenzimeve

Deri para pak kohësh, burimi më i rëndësishëm i financimit të KKRT-së, i miratuar në ligjin nr. 8410 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, ka qënë buxheti i Shtetit. Prej vitit 2006 KKRT nuk merr asnjë financim nga ky buxhet.
Sot burimet kryesore të realizimit të të ardhurave të KKRT-së janë pagesat që vilen nga operatorët në formën e pagesave vjetore për licencat dhe pagesat për marrjen e rinovimin e tyre. Me tarifat ekzistuese të përcaktuara kryesisht nga ligji nr. 8410, te ardhurat vjetore te siguruara nga pagesat për licence arrijnë shumën 48 milionë lekë.
Me miratimin e ligjit “Për transmetimet numerike” i cili i jep KKRT-së kompetenca në përcaktimin e tarifave, duke marrë parasysh të ardhurat që do të krijohen nga licencimi i operatorëve numerikë, pritet që shuma e të ardhurave të realizuara nga këto lloj pagesash të rritet deri në nivelin 120 milionë lekë në vit që mendohet se do të mbulojë nevojat vjetore të administratës së KKRT-së.
Nisur nga situata ekzistuese e financave të KKRT-së, (në 31.12.2007, në llogarinë bankare të KKRT janë të depozituara rreth 75 milionë lekë) si dhe nga fakti se KKRT-JA është në momentin e përgatitjes së akteve nënligjore në kompetencë të KKRT-së, në zbatim të ligjit nr. 9742, datë 28.05.2007 “Për transmetimet numerike në Republikën e Shqipërisë” me shtojcat e “Pagesave për licencë”, janë hartuar tarifat e pagesave për licencë për operatorët numerike. Materiali do të kalojë për miratim në KKRT. Në momentin e miratimit dhe të aplikimit të tyre, KKRT-ja do të përdorë në mënyrë të kombinuar dy burime të ardhurash për përballimin e shpenzimeve aktuale: të ardhurat nga operatorët analogë dhe të ardhurat nga operatorët numerikë. Kjo do të bëjë të mundur zbutjen e vështirësisë financiare të KKRT-së për përballimin e shpenzimeve të domosdoshme për mirëfunksionimin e tij.
Në rast se aplikimi i tarifave të operatorëve numerike do të zgjasë në kohë, atëherë, janë dy, rrugët e përballimit të shpenzimeve:

1. Rishikimi i burimeve të përballimit të shpenzimeve, duke kërkuar financim nga ana e Buxhetit të Shtetit, ose,
2. Amendimi i ligjit 8410, Lidhja 1, Rishikimi dhe rillogaritja e tarifave të operatorëve analogë me frekuence ekzistues, deri në momentin në të cilin do të jenë në transmetim.

Tregu i reklamave

Shqyrtimi i bilanceve të operatorëve radio e televizivë ka treguar se të ardhurat e realizuara nga reklamat për vitin 2007 kanë ardhur në rritje. Më poshtë jepen treguesit e realizimit të të ardhurave nga reklamat sipas viteve duke filluar nga viti 2004:

2004 6 milionë euro
2005 10 milionë euro
2006 13 milionë euro
2007 pritet të jetë mbi 15 milionë euro

Nga monitorimi që i është bërë tregut të reklamave, është konstatuar se të ardhurat nga ato janë të ulëta krahasuar me numrin e mediave radio-televizive që transmetojnë në vend. Përveç numrit të madh të mediave që operojnë problem është edhe informaliteti në këtë treg. Analiza e tregut të reklamave radio e televizive do të mbetet një nga orientimet kryesore në strategjinë e afërt të KKRT-së, në përputhje me ligjin dhe parimet e transparencës, mos diskriminimit, proporcionalitetit dhe konkurencës së lirë në tregun e mediave elektronike.


PËRMBLEDHJE

E nderuara zonja Kryetare!

Të nderuar zotërinj deputetë!

Ne sot jetojmë në kohët e “media-morfozës”, një zhvillimi me ritme të përshpejtuara të teknologjisë, shpërndarjes së informacionit dhe komunikimit, i cili reflektohet edhe në kërkesat e reja sociale. Aftësia për t’iu përgjigjur nevojave e interesave sociale përballet me një numër të konsiderueshëm barrierash të krijuara nga tregu dhe strukturat ligjore ekzistuese. Përballet gjithashtu me strukturat politikë-bërëse dhe aftësinë e tyre për të reaguar, parashikuar apo formuluar objektiva strategjike dhe gjetur zgjidhjet e duhura në interes të shoqërisë dhe qytetarëve. KKRT-ja, si autoriteti rregullator, i duhet të luajë një rol të vështirë, që brenda kuadrit ligjor dhe klimës politike, ekonomike e sociale, të rregullojë në mënyrë efikase veprimtarinë radiotelevizive, duke balancuar dhe liberalizuar tregun, duke garantuar konkurrencën, duke mbrojtur interesat e operatorëve dhe të konsumatorëve.
Viti 2007 ishte një vit jo i zakonshëm për KKRT-në, i shoqëruar me shumë ndryshime, por edhe politikisht i ngarkuar, pasi KKRT-ja u përfshi shpesh mes debateve politike. Ky vit shënoi një riformatim të Këshillit, shtimi me 2 anëtarë, ndryshime të rëndësishme ligjore, si miratimi i ligjit të transmetimeve numerike dhe nisja e reformës së plotë ligjore të legjislacionit për median, përpjekje të konsiderueshme të KKRT-së për rritjen e autoritetit të saj përpara operatorëve, etj.
Objektiva të tjerë mbeten brenda kuadrit të vetë objektivave institucionale dhe sfidave që përballet KKRT. Të tilla janë:
- Ndryshimi i parimeve të funksionimit të KKRT-së nën një kornizë ligjore moderne, në përshtatje me të rejat e kohës dhe përafruar me praktikat dhe standardet evropiane.
- Forcimi institucional i KKRT-së, i domosdoshëm për të përballuar ndryshimet ligjore dhe teknike.
- Përfundimi i strategjisë së kalimit në transmetimet numerike.
- Finalizimi i planit të caktimeve frekuencore analoge dhe numerike.
- Përgatitja për licensim e rrjeteve numerike tokësore.
- Riorganizimi i spektrit të frekuencave televizive të rajonit të Tiranës.
- Monitorimi i frekuencave.
- Bashkëpunimi me operatorin publik.
- Kualifikimi i menaxhimit dhe stafit të KKRT-së, nëpërmjet trajnimit intensiv të tij; rritja dhe modernizimi i burimeve teknike duke rritur aftësinë kontrolluese e monitoruese të KKRT-së.
- Monitorimi dhe zbatimi i normave dhe standardeve të gjuhës letrare shqipe në edicionet informative dhe në programet e tjera radiotelevizive.
- Hartimi dhe respektimi i një Kodi të Etikës televizive të miratuar nga Këshilli i Etikës e të pranuar të gjithë operatorët radiotelevizivë.
- Zbatimi i projektit për ndjekjen dhe monitorimin e kërkesave të legjislacionit në fuqi për reklamat në radiotelevizion.
- Shtimi i vëmendjes ndaj përmbajtjes dhe cilësisë së programeve për fëmijë e të rinj, duke shmangur e minimizuar shkeljet e ligjit dhe etikës qytetare e televizive.
Ky ishte, në mënyrë të përmbledhur, raportimi i punës së KKRT-së për vitin 2007. Çdokush mund të krenohet me punën e tij, por gjithmonë do të kishte se çfarë t’i shtonte asaj.
Ne punuam shumë dhe ndryshe gjatë vitit 2007, jo sepse do të raportonim këtu, por sepse ne duhet të bënim punën të cilën ju na e besuat dhe që ligji e kërkonte. Ne punuam në emër të respektit ndaj fjalës së lirë, në respekt të ligjit të Republikës së Shqipërisë, duke kryer atë hap cilësor që nuk ishte bërë më parë dhe që skeptikët mendonin se s’mund të realizohej.
Ne punuam ndryshe që t’i bindim të gjithë se kjo KKRT, do të japë hapësira të reja për krijimin e mediave të fuqishme e të pavarura, hapësira që nuk janë dhënë kurrë më parë, por në respekt ,e theksoj ne respekt të plotë të ligjit.
Zotërinj deputetë, ju faleminderit për besimin dhe ndihmën që na dhatë!"


Tiranë, më 13 shkurt 2008

 

 
Albanian
button-kkrt-327-pixel-final
projekt
rtshtop-tvklan