|
Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi ndërmjet Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit dhe Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Nr. ______Prot., datë 28.09.2007 Nr. ______Prot., datë 28.09.2007
ZYRA SHQIPTARE PËR KËSHILLI KOMBËTAR
TË DREJTËN E AUTORIT I RADIOS DHE TELEVIZIONIT
MEMORANDUM MIRËKUPTIMI DHE BASHKËPUNIMI
Ndërmjet:
Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit
dhe Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit
Ky Memorandum lidhet ndërmjet:
Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit, e njohur më poshtë si "ZSHDA", i përfaqësuar nga Titullari i tij, Drejtore Znj. Nikoleta Gjordeni, institucion publik, në varësi të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili vepron në bazë të Ligjit nr. 9380, datë 28.04.2005, "Për të Drejtën e Autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të" dhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 232, datë 19.04.2006 "Për krijimin dhe funksionimin e Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit", me qëllim mbikqyrjen dhe monitorimin e respektimit të të drejtave të autorëve dhe të drejtave të tjera të lidhura me të, nga subjektet, persona fizikë/juridikë, privatë a publikë, përdorues të pronësisë letrare, artistike, shkencore.
Dhe
Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit i njohur më poshtë si "KKRT", i përfaqësuar nga Kryetari i tij Znj. Mesila Doda, organizëm i pavarur, i cili vepron në bazë dhe për zbatimin e dispozitave të Ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998 "Për Radion dhe Televizionin Publik dhe Privat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, me qëllim rregullimin dhe mbikqyrjen e veprimtarisë radiotelevizive në Republikën e Shqipërisë.
Neni 1
Rëndësia
- Respektimi dhe mbrojtja e së Drejtës së Autorit ka një rëndësi të veçantë në proçesin e Integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për shkak të detyrimeve të rëndësishme që rrjedhin nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit;
- Angazhimet e marra në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit që synojnë ndërmjet të tjerash, garantimin e luftës kundër piraterisë së produktit intelektual, si dhe respektimin e të drejtave të autorit në këtë fushë;
- Detyrimi që ka Shteti Shqiptar për zbatimin dhe respektimin e Konventave Ndërkombëtare, nëpërmjet institucioneve të tij, në fushën e pronësisë intelektuale, në të cilën Republika e Shqipërisë ka aderuar;
- Hapësira e përdorimit e pronësisë letrare, artistike, shkencore në strukturën programore të transmetimeve të operatorëve radio-televizivë;
- Gjendja e rënduar nga mosrespektimi i të Drejtave të Autorit, të garantuara nga Neni 58 i Kushtetutës, prej operatorëve radio-televizivëdhe subjekteve të tjera që ofrojnë shërbime për publikun në fushat e artit, ka sjellë pasoja të dëmshme përsa i përket vlerës reale të veprave letrare, artistike, shkencore;
- Problemet e hasura në këtë fushë kanë sjellë humbje financiare, të përcaktuara me ligj, në favor të autorëve shqiptarë dhe të huaj;
- Problemet e hasura që kanë sjellë një zhvlerësim të vazhdueshëm të vlerave kulturore, materiale e financiare, shkaktuar nga përdorimi pa kriter dhe pirat i produktit intelektual të trashëguar;
- Interesi publik për sigurinë dhe zhvillimin e produktit intelektual mbetet i veçantë edhe për shkak të problematikës, që ka pasur mbrojtja e këtij produkti në të shkuarën;
- ZSHDA është institucioni Garant i Nenit 58 të Kushtetutës, për monitorimin dhe garantimin e respektimit të të drejtave të autorëvë krijues dhe autorëve interpretues apo ekzekutues;
- KKRT ka përgjegjësinë ligjore të kontrollojë legjitimitetin e programeve, që i përcillen publikut nga operatorët radio-televizivë;
Neni 2
Baza ligjore
Ky Memorandum bazohet në të drejtat dhe detyrimet e palëve të përcaktuara në Konventat Ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë, si dhe në ligjet e tyre organike,
Në Konventën e Bernës, "Për mbrojtjen e veprave letrare dhe artistike", nënshkruar në Bernë më 09.09.1886, plotësuar me Aktin e Parisit më 24.07.1971 dhe ndryshuar më 02.10.1979. (Aderimi me Dekret të Presidentit të Republikës nr. 487, datë 09.03.1993).
Në Konventën e Romës, "Për mbrojtjen e artistëve interpretues dhe ekzekutues, të prodhuesve të fonogrameve dhe të organizmave të radiodifuzionit", të nënshkruar në Romë më 26 Tetor 1961. (Aderimi me Ligjin nr. 8579, datë 16.02.2000, të Kuvendit të Shqipërisë).
Në Konventën e Gjenevës, "Për mbrojtjen e prodhuesve të fonogrameve kundër riprodhimit të paautorizuar të tyre", nënshkruar në Gjenevë më 29 tetor 1971. (Aderimi me Ligjin nr. 8585, datë 15.03.2000, të Kuvendit të Shqipërisë).
Në Konventën Universale, " Për të Drejtën e Autorit" dhe Dy Protokollet shtesë të saj, nënshkruar në Paris, më 24 korrik 1971. (Aderimi me Ligjin nr. 9129, datë 08.09.2003, të Kuvendit të Shqipërisë).
ZSHDA, në Ligjin nr. 9380, datë 28.04.2005 "Për të Drejtën e Autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to" dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 232, datë 19.04.2006, pika 18.
KKRT, në Ligjin nr. 8410, datë 30.09.1998 " Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar.
Neni 3
Qëllimi
Qëllimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi është përcaktimi i modaliteteve, instrumenteve dhe mënyrave të bashkëpunimit për implementimin sa më të përshpejtuar të Ligjit nr. 9380, datë 28.04.2005 " Për të Drejtën e Autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të", për të vendosur nën kontroll të gjithë tregun e pronësisë të produktit intelektual në fushën e artit, kulturës dhe shkencës, për të monitoruar dhe për të garantuar respektimin e të Drejtave të Autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, në luftën kundër piraterisë, fallsifikimit dhe respektimit të të Drejtave të Autorit .
Neni 4
Forma e bashkëpunimit
Palët bien dakort si më poshtë:
Institucionalizohet, sipas këtij Memorandumi, bashkëpunimi reciprok, në përmbushje të detyrimeve ligjore të ndërsjellta, në sferën e forcimit të luftës kundër piraterisë dhe respektimit të të Drejtave të Autorit, duke konsideruar prioritet me një rëndësi të madhe për interesat kombëtare, zbatimin e Ligjit për të Drejtën e Autorit dhe të drejtave të lidhura me të, të saktësuara në angazhimet e marra në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë
Palët, ZSHDA dhe KKRT në bashkëpunim me njëra-tjetrën marrin përsipër të hartojnë strategji afatshkurtra të materializuara në formën e planit të veprimit, për çdo rast dhe në vazhdimësi.
ZSHDA dhe KKRT do të shkëmbejnë zyrtarisht të dhëna dhe informacione, në një afat kohor sa më të shkurtër, brënda afateve të parashikuara në Kodin e Proçedurave Administrative, duke respektuar në rast nevoje, karakterin konfidencial dhe që kanë të bëjnë me problemet e luftës kundër piraterisë, fallsifikimeve si dhe të respektimit të të Drejtave të Autorit.
KKRT duhet të kërkojë nga operatorët radio-televizivë, bazuar në Ligjin nr. 8410, datë 30.09.1998 "Për Radion dhe Televizionin Publik dhe Privat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, si dhe në Ligjin nr. 9380, datë 28.04.2005 "Për të Drejtën e Autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të', që ofrojnë shërbime televizive për publikun, me apo pa pagesë, përpara depozitimit nga ana e tyre të kontratave me të drejtë transmetimi, regjistrimin dhe çertifikimin e këtyre kontratave në ZSHDA.
ZSHDA duhet të informojë KKRT, për ligjshmërinë e objektit të veprimtarisë së mbajtësit të të drejtave të parashikuara në këto kontrata për kalim të drejtash.
Neni 5
Bashkëpunimi për kundravajtjet administrative
- ZSHDA, në bazë të neneve 130, 131 dhe 133, të Ligjit nr. 9380, datë 28.04.2005 "Për të Drejtën e Autorit dhe të drejta të tjera te lidhura me të", përveç Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, informon zyrtarisht KKRT, në çdo rast e për çdo kundërvajtje administrative, të konstatuar dhe të ndëshkuar nga inspektorët e saj.
- KKRT-ja, në bazë të nenit 137/4, pika 7 të Ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998 "Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, informon zyrtarisht ZSHDA, në çdo rast e për çdo kundërvajtje administrative, të konstatuar e ndëshkuar prej saj.
- ZSHDA dhe KKRT, angazhohen të zgjerojnë këtë bashkëpunim në masën që lejojnë dhe detyrojnë ligjet, në të cilat bazohet ky Memorandum, dhe që kanë të bëjnë me problemet e luftës kundër piraterisë dhe të pronësisë intelektuale.
Neni 6
Pika e kontaktit
Secila prej palëve do të emërojë një përfaqësues, në cilësinë e personit të kontaktit në nivel specialistësh, për ndjekjen dhe realizimin e bashkëpunimit, duke përshpejtuar afatet administrative, sipas formave që përcaktohen nga ky Memorandum.
Neni 7
Nënshkrimi dhe hyrja në fuqi
Ky Memorandum nënshkruhet sot, më datë 28.09.2007, në dy kopje origjinale, për secilën palë dhe hyn në fuqi në momentin e nënshkrimit nga palët.Ky Memorandum do t'u dërgohet të gjithë operatorët radio-televizivë, të licensuar nga KKRT, për informimin e publikut.
| ZSHDA |
KKRT |
| NIKOLETA GJORDENI |
MESILA DODA (DEMI) |
| DREJTORE |
KRYETARE |
|