Albanian
kryetaria-dr-endira-bushati

Kryetarja e KKRT-së

Dr. Endira Bushati

Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit

Për rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë radiotelevizive në Republikën e Shqipërisë është krijuar Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit (KKRT), i cili është organizëm i pavarur, që vepron në bazë e për zbatimin e dispozitave të ligjit 8410, i ndryshuar.

arkiva-red

BASHKËPUNIMI

logo-epralogo_rirmebu_logo
itu-official-logo_75navi_obs
18.05.2009 KKRT iu dërgon mediave “Kujtesën” për pasqyrimin e fushatës elektorale Print E-mail
Pasqyrimi i drejtë  i fushatës elektorale nga televizionet dhe radiot publike e private në Shqipëri,  ka nxitur KKRT-në t’i drejtohet me një “Kujtesë”, të gjitha mediave elektronike në vend, duke filluar nga Radio-Televizioni Publik Shqiptar. Vendimi i rëndësishëm i Këshillit është miratuar në mbledhjen e tij të ditës së premte dhe iu është dërguar më pas, të gjitha mediave. Më poshtë, po publikojmë të plotë vendimin në fjalë me titull: “Kujtesë për pasqyrimin ligjor, etik dhe profesional të fushatës për zgjedhjet parlamentare - 28 qershor 2009”.
Zëdhënësja
Armanda Shtëmbari


KUJTESË


PËR PASQYRIMIN LIGJOR, ETIK DHE PROFESIONAL

TË FUSHATËS PËR ZGJEDHJET PARLAMENTARE

28 QERSHOR 2009

(MEDIA ELEKTRONIKE)

Në mbështetje të Ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe të Ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”,
KKRT u  kujton gjithë operatorëve radiotelevizivë publikë dhe privatë se:
  1. Radiotelevizioni Publik Shqiptar dhe radiot e televizionet private, gjatë  fushatës për zgjedhjet parlamentare – 28 qershor 2009,  duhet të zbatojnë  detyrimet ligjore të përcaktuara në nenet 4, 36, 41, dhe 81 të Ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, që kanë të bëjnë me paanshmërinë, plotësinë, vërtetësinë, pluralizmin e informacionit, si dhe nenet e Pjesës VI “Fushata Zgjedhore dhe Media” të Ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, në lidhje me respektimin e kërkesave  për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në media.
  2. Radiotelevizioni Publik Shqiptar dhe radiot e televizionet private, janë të detyruara të regjistrojnë të gjitha transmetimet e tyre përgjatë gjithë fushatës zgjedhore. Këto regjistrime ruhen për një periudhë tremujore pas përfundimit të zgjedhjeve dhe vihen në dispozicion të KQZ-së, me kërkesë të tij..
  3. Televizionet publike dhe private, në të gjitha edicionet informative, duhet të vendosin me titra:
    • Emrin e redaktorit përgjegjës në fund të çdo emisioni,Emrin e gazetarit,
    • Të operatorit dhe montazhierit në çdo kronikë (lajm),
    • Emrin e drejtuesit të emisionit.
  4. Radiot publike dhe private, në të gjitha edicionet informative, duhet të njoftojnë emrin e gazetarit për çdo kronikë (lajm), emrin e drejtuesit të emisionit, emrin e redaktorit përgjegjës në fund të çdo edicioni.
  5. Radiot publike dhe private janë të detyruara të bëjnë identifikimin e subjektit me folës, duke njoftuar emrin e transmetuesit dhe frekuencat e stacioneve në të cilat transmetojnë. Njoftimi bëhet periodikisht çdo ditë, në çdo orë, si dhe në intervalet midis programeve.
  6. Nëse radiot ose televizionet publike apo private paraqesin në programet e tyre sondazhe zgjedhore, në to duhet të përfshihet emri i organizatorit të sondazhit, porositësi i tij, numri i personave të intervistuar, probabiliteti i gabimit si dhe periudha e zhvillimit të sondazhit.
  7. Nëse radiot ose televizionet publike dhe private organizojnë vetë sondazhe zgjedhore me publikun, në fillim dhe në fund të çdo emisioni-sondazh, duhet të njoftohet se programi në fjalë nuk i përmbahet kritereve shkencore për sondazhet, si ato të organizuara nga institucione të specializuara.
  8. Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 5 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë dhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit.
RADIOTELEVIZIONI PUBLIK SHQIPTAR
  1. Radiotelevizioni Publik e pasqyron fushatën zgjedhore nëpërmjet lajmeve dhe programeve informative.
  2. Radiotelevizioni Publik gjatë fushatës zgjedhore vë minutazh falas në dispozicion të partive politike të regjistruara dhe të KQZ-së. Ky minutazh përcaktohet nga KQZ-ja, jo më vonë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Sipas Kodit Zgjedhor, kjo kohë nuk caktohet si pjesë e lajmeve dhe programeve informative.
  3. Në Radiotelevizionin Publik, për partitë parlamentare, që në zgjedhjet e fundit për Kuvendin kanë marrë më shumë se 20 për qind të vendeve në Kuvend, KQZ-ja cakton një minutazh të barabartë prej jo më pak se 30 minutash në televizionin publik dhe po aq në radion publike.Për partitë e tjera parlamentare, kjo kohë është jo më pak se 15 minuta.Rritja e kohës së transmetimit për një parti apo një koalicion, rrit proporcionalisht kohën në dispozicion të partisë apo koalicionit tjetër.
  4. Radiotelevizioni Publik është i detyruar t’u japë, respektivisht, 10 minuta kohë në dispozicion, të gjitha Partive jashtëparlamentare, që marrin pjesë në zgjedhje.
  5. Radiotelevizioni Publik transmeton reklama politike pa pagesë, duke llogaritur kohën e transmetimit brenda minutazhit falas.
  6. Radiotelevizioni Publik, në minutazhin politik të edicioneve informative, është i detyruar të zbatojë raporte kohore të barabarta për të gjitha partitë parlamentare, që në zgjedhjet e fundit për Kuvendin kanë marrë deri në 20 për qind të vendeve në Kuvend. Partitë që kanë marrë më shumë se 20 për qind të vendeve në Kuvend, përfitojnë kohë transmetimi sa dyfishi i kohës që përfiton një parti që ka marrë deri në 20 për qind të vendeve në Kuvend.
  7. Radiotelevizioni Publik duhet të llogarisë që koha e pasqyrimit të veprimtarive qeveritare, që lidhen me fushatën zgjedhore, përfshihet në kohën e partisë, së cilës i përket titullari i institucionit që zhvillon veprimtarinë.
  8. Radiotelevizioni Publik, për pasqyrimin e veprimtarive të partive jashtëparlamentare zbaton kriteret profesionale të lajmit, me kusht që koha në dispozicion të tyre të jetë jo më e madhe se koha e dhënë për partitë parlamentare.
  9. Gazetarët e Radiotelevizionit Publik e kanë të ndaluar propagandën, komentet dhe qëndrimet politike brenda edicioneve informative.
  10. Në rast se Radiotelevizioni Publik shkel raportet e pasqyrimit në favor të një partie ose të një koalicioni, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve urdhëron reduktimin në të njëjtën masë të kohës në dispozicion të partisë ose koalicionit politik ose kompensimin e partive apo koalicioneve të tjera politike me minutazh shtesë brenda 48 orëve.
  11. Në rast se Radiotelevizioni Publik shkel kërkesat e Kodit Zgjedhor për pasqyrimin e fushatës zgjedhore, atëherë KQZ-ja gjobit, sipas rastit dhe shkallës së përgjegjësisë, me 20.000 lekë reporterin që ka përgatitur kronikën, me 30.000 lekë redaktorin përgjegjës, me 35 000 lekë drejtorin e informacionit dhe me 60.000 lekë Drejtorin e Përgjithshëm.
RADIOT  DHE  TELEVIZIONET  PRIVATE
  1. Radiot dhe televizionet private e pasqyrojnë fushatën zgjedhore vetëm në edicionet e zakonshme dhe të posaçme informative. Ato nuk vënë, në dispozicion të subjekteve politike, kohë transmetimi falas për pasqyrimin e fushatës së tyre zgjedhore.
  2. Radiot dhe televizionet private në minutazhin politik të edicioneve informative, janë të detyruar të zbatojnë raporte kohore të barabarta për të gjitha partitë parlamentare, që në zgjedhjet e fundit për Kuvendin kanë marrë deri në 20 për qind të vendeve në Kuvend. Partitë që kanë marrë më shumë se 20 për qind të vendeve në Kuvend, përfitojnë kohë transmetimi sa dyfishi i kohës që përfiton një parti që ka marrë deri në 20 për qind të vendeve në Kuvend.
  3. Për Radiot dhe televizionet private, në rast të shkeljes së raporteve të pasqyrimit në favor të një partie, KQZ-ja gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1.500.000 lekë, ndërsa operatorin radioteleviziv kombëtar me gjobë 3.000.000 lekë. Në rast përsëritjeje të shkeljes, KQZ-ja urdhëron KKRT-në të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv për 48 orë.
  4. Radiot dhe televizionet private duhet të llogarisin që  koha për veprimtaritë qeveritare që lidhen me fushatën zgjedhore, përfshihet në kohën e partisë së cilës i përket titullari i institucionit që zhvillon veprimtarinë.
  5. Për pasqyrimin e veprimtarive të partive joparlamentare dhe kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit, radiot dhe televizionet private zbatojnë kriteret profesionale të lajmit, me kusht që koha në dispozicion të mos jetë më e madhe se koha e dhënë për partitë parlamentare.
  6. Gazetarët e radiove dhe televizioneve private e kanë të ndaluar propagandën, komentet dhe qëndrimet politike brenda edicioneve informative. Në rast shkeljeje, KQZ-ja e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1.000.000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 2.500.000 lekë. Në rast përsëritjeje të shkeljes, KQZ-ja urdhëron KKRT-në të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv vendor për 48 orë.
  7. Në rastet kur një operator radioteleviziv transmeton informacione të cilat kundërshtohen si të pasakta nga një subjekt zgjedhor ose kandidat i pavarur, atëherë këta të fundit kanë të drejtë t’i kërkojnë transmetuesit ndreqjen e pasaktësive. Ankesat e subjekteve zgjedhore ose kandidatëve të pavarur, drejtohen me shkrim në KQZ. Ato duhet të përshkruajnë shkakun e ankesës, argumentimin e ankesës, emrin dhe adresën e plotë të ankuesit, logon dhe vendndodhjen e stacionit, programin për të cilin bëhet ankesa, datën dhe kohën e transmetimit.
  8. Radiot dhe televizionet private kanë të drejtë të organizojnë debate zgjedhore midis partive politike ose kandidatëve konkurrentë. Në organizimin dhe zhvillimin e debatit, radiotelevizionet private janë të detyruara të ruajnë baraspeshën mes partive politike në debat. Në rast shkeljeje, KQZ-ja urdhëron KKRT-në të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv për 48 orë.
  9. Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore, nga secila radio dhe televizion privat, nuk mund të jetë më shumë se 45 minuta për secilën parti që ka marrë deri në 20 për qind të vendeve në Kuvend dhe 90 minuta për secilën parti që ka marrë më shumë se 20 për qind të vendeve në Kuvend.
  10. Reklamat e institucioneve publike llogariten në kohën e subjektit politik, të cilit i përket titullari i institucionit.
  11. Radiot dhe televizionet private kombëtare dhe satelitore të cilat pranojnë reklama me pagesë, detyrohen që gjysmën e kohës totale të reklamës së parashikuar sipas Kodit Zgjedhor t’ua vënë në dispozicion falas subjekteve zgjedhore. Kostoja për vënien e kohës në dispozicion falas subjekteve zgjedhore, llogaritet si shpenzim i zbritshëm për efekte tatimore.
  12. Për partitë jashtëparlamentare dhe për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, radiot dhe televizionet private vënë në dispozicion kohë transmetimi shtesë për reklamat mbi kohën që zbatohet, sipas pikës 5 të këtij neni. Koha e transmetimit të reklamave për secilën parti jashtëparlamentare dhe kandidat të propozuar nga zgjedhësit nuk mund të jetë më e madhe se 10 minuta, për gjithë fushatën zgjedhore.
KKRT gjithashtu kujton se:
  1. Dita e shtunë përpara datës së zgjedhjeve dhe dita e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Radiot dhe televizionet të kenë parasysh se në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore. Operatori radioteleviziv që thyhen heshtjen zgjedhore gjobitet nga KQZ-ja me 2.000.000 lekë.
  2. Për vënien në dispozicion të subjekteve zgjedhore të kohës televizive nga operatorët privatë, rekomandohet të nënshkruhet një kontratë midis palëve që të rregullojë marrëdhëniet financiare.
  3. Monitorimi i pasqyrimit të fushatës zgjedhore në radio dhe televizion bëhet nga Bordi i Monitorimit i ngritur nga KQZ-ja. Për transmetuesit e rretheve, monitoruesit vendosen pranë KZAZ-së, ku ka qendrën e transmetimit operatori radioteleviziv që monitorohet.
  4. Operatorët radiotelevizivë duhet të garantojnë lirinë e fjalës, duke mbrojtur programin nga fjalët fyese dhe ofendimet në drejtim të racës, besimit fetar, origjinës, gjinisë, jetës private dhe veçantive të tjera.
  5. Në radiot dhe televizionet publike dhe private ndalohet transmetimi i reklamave tregtare gjatë transmetimit të programeve zgjedhore.
  6. Stacionet radiotelevizive duhet të shmangin çdo formë indirekte të favorizimit të subjekteve zgjedhore në programet e tyre.
  7. Radiot dhe televizionet duhet të shmangin vendosjen e përfaqësuesve të partive politike apo kandidatëve të pavarur  në rolin e analistit apo të drejtuesit të programeve për fushatën elektorale.
  8. Radiot dhe televizionet private, të cilat lidhen mes tyre me sistemin NETËORK për të pasqyruar aktivitetin politik të një subjekti zgjedhor apo kandidati të pavarur, duhet të bëjnë të njëjtën gjë edhe për subjektet e tjera zgjedhore, apo kandidatët e tjerë të pavarur, të zonës ku shtrihet sinjali i programit të transmetuar.
Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit kërkon mirëkuptimin e operatorëve radiotelevizivë, në mënyrë që media elektronike të përmbushë përgjegjësitë e saj për një pasqyrim të drejtë, të paanshëm dhe profesional të fushatës zgjedhore.


KËSHILLI KOMBËTAR I RADIOS DHE TELEVIZIONIT
 
projekt
rtshtop-tvklan