Dr. Endira Bushati, Kryetare e Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit, merr pjesë në mbledhjen jubilare “50 vjet TVSH, 50 vjet Televizion në Shqipëri”, ku u zhvillua edhe ceremoninë e dekorimit të TVSH-së nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë me Urdhrin e Lartë “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.
Në fjalën e saj përshëndetëse Kryetarja e KKRT-së, vlerësoi përvojën njerëzore gjysmëshekullore të këtij institucion, duke theksuar sfidat që e presin atë në epokën e dixhitalizimit brenda procesit të integrimit evropian. Veçanërisht ajo tërhoqi vëmendjen në rëndësinë që marrin edhe në epokën dixhitale: ruajtja e rolit social të televizioneve publike, aksesi universal i tyre dhe nevoja financimit të studiuar e transparent.
Në vijim po shkëpusim pjesë nga fjalimi: “Kam nderin dhe kënaqësinë,- e nisi fjalim e saj dr. Endira Bushati,- që në emër të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, t’ju shpreh urimet më të sinqerta në këtë përvjetor jubilar të Televizionit Publik Shqiptar. Janë 50 vjet pune të mbushura me përpjekje, sakrifica dhe arritje te brezave të tërë krijuesish, drejtuesish dhe stafeve inxhinier e teknike, që edhe pse ne pjesën më të madhe të kësaj periudhe nën diktature, arritën të japin vlera. Janë 50 vjet të një përvoje të pakrahasueshme, për të arritur standardet dhe përballuar konkurrencën, që tashmë është pasqyruar në të gjithë mjedisin e medias audio-vizuale në Shqipëri...
 Ky 50-vjetor përkon me zhvillimet e shpejta teknologjike në median elektronike, me nevojën e shndërrimeve dhe të kapërcimit të sfidës dixhitale, ku përgjegjësia dhe roli i transmetuesit publik është vendimtar... Televizioni Publik ekziston sot në një mjedis ku operojnë dhe ofrojnë shërbime një numër i madh kanalesh private me ose pa pagesë, ndërkohë që në një të ardhme shumë të shpejtë do të ofrohen edhe shërbime të tjera të tilla si, shërbimet interaktive, ato me kërkesë, apo edhe nëpërmjet internetit. Te gjithë këto elemente kanë çuar dhe do të çojnë në një konkurrencë gjithnjë në rritje në sektorin e medias audio-vizuale.
Për këto arsye, Televizioni Publik duhet të shtojë larminë e shërbimeve në mënyrë që të ofrojë një gamë të plotë dhe konkurruese të shërbimeve mediatike për publikun në përgjithësi, në përputhje me misionin e tij. Progresi teknologjik në fushën e medias audio-vizive dhe komunikimeve elektronike nënkuptojnë se Televizioni Publik duhet gjithashtu të përdorë teknologjitë e reja... Duke iu referuar edhe instrumenteve ndërkombëtare në fushën e medias audio-vizuale të hartuar nga Këshilli i Evropës apo Bashkimi Evropian, është e rëndësishme të njihen dhe zbatohet disa parime kryesore që lidhen me televizionin publik: Së pari, detyrimi i ruajtjes së rolit të tij të veçantë social, që përfshin një shërbim bazik të përgjithshëm nëpërmjet ofrimit të lajmeve, programeve arsimore, kulturore dhe argëtuese që kanë për qëllim t’u drejtohen kategorive të ndryshme të publikut... Mënyrat për të përmbushur këtë mision mund të përfshijnë ofrimin e kanaleve të reja të specializuara, për shembull në fushën e informacionit, arsimit dhe kulturës, apo dhe të shërbimeve të reja interaktive. Televizioni Publik do të duhet të luajë një rol kryesor në procesin e kalimit në transmetimet dixhitale. Se dyti, aksesi universal, i cili është themelor për zhvillimin e Televizionit Publik në erën dixhitale. Në këtë aspekt, duhet të punojmë se bashku që nëpërmjet sigurimit te kushteve ligjore, ekonomike dhe teknike, t’i japim mundësinë Televizionit Publik që të jetë i pranishëm në platforma të ndryshme numerike me programe dhe shërbime me cilësi të ndryshme që shmangin rrezikun e fragmentimit të audiencës, si rezultat i shumëllojshmërisë së programeve të ofruara. Se treti, financimi i televizionit publik. Në kontekstin e zhvillimeve të reja teknologjike, pa një financim të sigurt dhe të përshtatshëm, mund të zvogëlohen arritjet dhe shkalla e kontributit të Televizionit Publik në shoqëri. Për këtë arsye, do të duhet identifikohen mundësitë dhe aksesi në burimet e nevojshme financiare, me qëllim realizimin e misionit që ka televizioni publik në kuadër të peizazhit audio-vizual shqiptar. Modeli i Televizionit Publik Shqiptar të sotëm, krahas arritjeve, patjetër qe ka vend për përmirësim, por ajo që na del të gjithëve si detyrë është të punojmë për krijimin e një sistemi të ri, të aftë për të shpërndarë misionin publik në erën dixhitale. Nën dritën e sfidave të reja ne duhet ta rishikojmë Televizionin tonë, për ta bëre te aftë t’i përgjigjet zhvillimeve të tregut dhe nevojave të audiencës, gjithmonë duke ruajtur anën më të rëndësishme: qenien e një televizioni për publikun dhe në funksion të publikut... Kapacitet ekzistuese dhe përvoja e pasur 50-vjeçare e Televizionit Shqiptar janë një garanci për të ardhmen e tij.
( nga FJALA E KRYETARES SË KËSHILLIT KOMBËTAR TË RADIOS DHE TELEVIZIONIT, ZNJ. ENDIRA BUSHATI, NË KONFERENCËN E 50- VJETORIT TË TVSH-SË, 29 prill 2010)
|